Zhdukja e Jan Prengës, Gjykata rrëzon kërkesën e Bexhdilit për pamjet filmike të kompleksit “Golden”, seanca shtyhet për një datë tjetër
Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e avokatit mbrojtës të të pandehurit Festim Bexhdili, për të shfaqur në sallën e gjyqit pamjet filmike të kompleksit “Golden”, që sipas mbrojtjes do të ndihmonin në zbardhjen e të vërtetës për ngjarjen e rëndë të rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës.
Avokati Ilir Murati argumentoi se pamjet janë interpretuar në mënyrë të gabuar nga SPAK, dhe kërkoi që ato të shfaqeshin në gjykatë, në mënyrë që të qartësohej roli i klientit të tij.
Sipas SPAK, në pamjet filmike të kompleksit “Golden”, shihet momenti kur trupi i Jan Prengës transportohet nga një automjet në një tjetër, ngjarje që ndodh në garazhin e kompleksit. Po sipas SPAK, Festim Bexhdili ishte prezent në këtë moment dhe më pas është larguar së bashku me persona të tjerë të përfshirë në rrëmbim.
Kujtojmë se kompleksi “Golden” rezulton të jetë pika kyçe në këtë çështje, ndërsa Prokuroria e Posaçme pretendon se aty u mbajt dhe më pas u zhduk trupi i Jan Prengës.
Procesi gjyqësor ndaj Bexhdilit vazhdon, ndërkohë që mbrojtja paralajmëron se do të kundërshtojë në mënyrë të vazhdueshme provat e paraqitura nga SPAK, duke i cilësuar si të interpretuara në mënyrë të njëanshme.
Sakaq, seanca u shty për në datën 26 qershor.
Fraksion.com