“Koordinata”, asgjësohen 12 541 fidanë kanabis në Shkodër
Në qarkun e Shkodrës janë gjendur dhe asgjësuar 12 541 fidanë dhe bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa.
Policia njoftoi se “si rezultat operacionit policor të koduar “Koordinata”, bazuar dhe në inteligjencën policore, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, kanë gjetur të kultivuara dhe kanë asgjësuar 728 fidanë në kubikë dhe 11 813 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa.
Konkretisht “shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën në territorin e njësisë administrative Pult, dhe asgjësuan 652 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë për inxhinierin e pyjeve, shtetasin A. M., për shpërdorim detyre dhe për moskallëzim krimi”.
Policia njoftoi se gjithashtu se “shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën në territorin e njësive administrative Shllak dhe Temal, dhe asgjësuan 728 fidanë në kubikë dhe 11 161 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa”.
Sipas policisë vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të këtyre rasteve të kultivimit.
Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata”, vijon.
Fraksion.com