Vrau me thikë 65-vjeçarin, vrasësi ishte fshehur në banesën e vëllait të tij
Janë zbuluar detaje të reja nga vrasja në Klos, ku një 32-vjeçar ka vrarë kushëririn e tij.
Autori i krimit ishte fshehur në banesën e vëllait të tij, aty ku u bë i mundur edhe arrestimi gjatë ditës së sotme.
Ai u vu në pranga në lagjen Allias, teksa në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe thika që dyshohet se u përdor nga ai.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit në DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më datë 11.06.2025, në fshatin Xibër-Murrizë, ku pranë pronës së tij u gjet pa shenja jete dhe me dëmtime në trup të shkaktuara me mjet prerës, shtetasi S.V., 65 vjeç, banues në këtë fshat, kanë organizuar punën për nxjerrjen e autorit përpara përgjegjësisë penale dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, u zbardh dinamika e ngjarjes. Nga veprimet e kryera, dyshohet se shtetasit H.V. dhe S.V. fillimisht janë konfliktuar fizikisht për motive të dobëta dhe më pas shtetasi H.V. e ka goditur me armë të ftohtë (thikë) shtetasin S.V., duke i shkaktuar vdekjen”, njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Fraksion.com