Testohet aftësia e kursantëve të Akademisë së Sigurisë në përballjen me zjarret
Në ambientet e Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, u zhvilluan veprime praktike nga kursantët duke improvizuar rënien e një zjarri në objekt shumëkatësh.
Gjatë këtyre veprimeve u testua shpejtësia e daljes së kursantëve dhe personelit nga ambientet e godinës, por u praktikuan dhe modulet teorike të mësuara më parë për bashkëveprimet e koordinimin e strukturave të policisë, me ato të mbrojtjes kundër zjarrit dhe emergjencave shëndetësore në raste të tilla.
Ky testim u zhvillua mbi bazën e një plani të detajuar dhe u monitorua/filmua për tu analizuar gjatë procesit mësimor mbi veprimet e kryera, anët pozitive dhe të metat e konstatuara.
Këto prova emergjence dhe praktikat masive profesionale janë kërkesë e vijueshmërisë së procesit riakreditues 2027-2030 të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë.
Stafi i Akademisë së Sigurisë mbetet i përkushtuar që të bashkërendojë informacionet teorike me veprimet praktike, që kursantët të pajisen me informacion dhe njohuri praktike.
Fraksion.com