Aktualitet

Format i ri bashkëpunimi mes institucioneve të drejtësisë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me mbështetjen e projektit EU4JUSTICE, zhvilloi sot takimin vjetor të përbashkët me Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Të ftuar në këtë tryezë diskutimi ishin Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD), Artur Metani dhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe anëtarët e Këshillave respektivë, inspektorët përfaqësues nga ILD si dhe përfaqësues të misioneve EU4JUSTICE dhe OPDAT.

Takimi u hap me fjalët përshëndetëse të kryetares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi dhe Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela.

Drejtuesit e lartë theksuan rëndësinë e zhvillimit të këtij formati të ri bashkëpunimi për të nxitur dialogun e hapur, transparencën dhe koordinimin në funksion të konsolidimit të mëtejshëm të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

“Rritja e inspektimeve tematike do të kontribuojë në ndërtimin e praktikave më të mira për të gjithë aktorët e përfshirë. Kjo, nga ana tjetër, do të ndikojë pozitivisht si në rritjen e efikasitetit të punës së magjistratëve, ashtu edhe në forcimin e besimit të publikut ndaj sistemit”, tha Bogdani në fjalën e saj.

Ndërsa për anëtarin e KLP-së, Zeqir Hoda “garantimi i standardeve të larta profesionale në dhënien e drejtësisë, forcimi i cilësisë dhe efikasitetit të drejtësisë në Shqipëri, është një nga sfidat kryesore të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”.

“Roli vendimtar në sigurimin e qeverisjes së mirë gjyqësore dhe prokuroriale u takon organeve të vetadministrimit të drejtësisë, të cilat duhet të promovojnë, përmes veprimtarisë së të tyre, kulturën e të drejtave të njeriut, kulturën e pavarësisë, integritetit dhe profesionalizmit të magjistrati”, u shpreh ndër të tjera ai.

Në qendër të diskutimeve qëndroi forcimi i bashkëpunimit për realizimin e inspektimeve tematike, si një hap thelbësor drejt rritjes së besueshmërisë dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Në këtë drejtim, Kreu i ILD-së, Metani vlerësoi se “në një kohë kur pritshmëritë e publikut janë të larta dhe sfidat në rritje, detyra jonë e përbashkët është të ndërtojmë një kulturë të vlerësimit të drejtë dhe objektiv, të funksionimit të pushtetit gjyqësor, si dhe punës së magjistratëve”.

“Ky është një proces kompleks dhe nuk mund të jetë vetëm objekt i veprimtarisë së Zyrës së ILD-së. Në këtë aspekt bashkëveprimi dhe koordinimi ndërmjet institucioneve tona është i nevojshëm jo vetëm në paraqitjen e propozimeve për kryerjen e inspektimeve tematike, por në vijimësi në fushat me impakt në veprimtarinë e magjistratëve”, tha ai.

Diskutimet u pasuan nga një sesion i hapur, ku pjesëmarrësit shkëmbyen mendime dhe ide konkrete në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të proceseve institucionale.

Në fjalën përmbyllëse, kryetarja e KLP-së, Bogdani theksoi se ky takim shënoi fillimin e një bashkëpunimi të strukturuar ku në vijim pritet të hartohet një memorandum i përbashkët për të unifikuar procedurat operative.

Ajo nënvizoi nevojën për takime periodike mes dy Këshillave, si dhe komisioneve ekuivalente të tyre dhe drejtorive juridike, si një mekanizëm për trajtimin e sfidave në procesin e vetingut dhe në rregulloret e konfliktit të interesit. Më tej,Bogdani foli edhe për formalizimin e një memorandumi bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme, me mbështetjen e EU4JUSTICE, i cili synon të forcojë integritetin dhe pavarësinë e magjistratëve.

Ky aktivitet ndërinstitucional shënjoi nisjen e një faze të re bashkthemelimi mes institucioneve të larta drejtësisë për një drejtësi më bashkëpunuese, në emër të integritetit, profesionalizmit, pavarësisë dhe meritokracisë.

 

Fraksion.com