Deklaratat e politikanëve ndaj drejtësisë, Kushtetuesja: E papranueshme të vihet në dyshim autoriteti i saj
Gjykata Kushtetuese, ka dalë me një deklaratë publike, pas disa deklaratave të bëra nga dy politikanët kryesorë të vendit, kryeministri Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Kushtetuesja shprehet se duke marrë shkas nga këto deklaratat e bëra nga politika, dëshiron të sigurojë publikun se institucioni është e pavarur dhe nuk ndikohet nga palët e përfshira nëpër procese, për të marrë vendimmarjen e saj si gjykatë.
Gjykata Kushtetuese gjen rastin të ritheksojë se vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, megjithatë është e papranueshme çdo formë ndikimi, sikundër çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj, qoftë edhe në dukje, çka do të cenonte vetë parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve”, deklaron Kushtetuesja.
Ka qenë fillimisht kryeministri, Edi Rama, i cili një ditë më parë kritikoi kërkesën e bërë nga Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë tek Kushtetuesja për rritjen e pagave.
Rama e cilësoi këtë kërkesë si skandaloze, teksa tha se kjo është një praktikë unikale dhe e padëgjuar në historinë e shteteve, që gjyqtarët i caktojnë vetes pagat përmes gjykatës, duke ndërhyrë në kompetencat e qeverisë për herë të dytë, pas asaj të bërë për administratën në vitin 2022.
“Kjo ndërhyrje skandaloze e gjyqësorit në kompetencat e ekzekutivit, mesa duket, i ka shijuar Unionit aq shumë, sa pas rritjes së pagave të administratës në maj të vitit 2023, Unioni i Gjyqtarëve tani rikërkon përsëri nga Gjykata rritjen e pagave të gjyqtarëve! Këtë herë, Unioni kërkon që paga bazë të lidhet vetëm me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit në Kryeministri dhe kërkon sërish ndryshimin e ligjit. Ndërkohë që në vitin 2022 Unioni donte garantimin e një shume bazë pavarësisht çdo llogaritjeje, sot kërkon që, si pasojë e rritjes së pagës së administratës, t’u rritet paga edhe gjyqtarëve – dhe jo pak, por plot 700 euro.
Akuza për korrupsion ka pasur nga ana tjetër prej Berishës, duke u shprehur se prokurorë e gjykatësit në Shqipëri, paguhen më shumë se në të gjithë Ballkanin. Sipas tij, kjo gjë është absurde.
“Tani, e kam theksuar dhe e theksoj se prokurorë dhe gjykatës në Shqipëri, paguhen më shumë se çdo gjykatës dhe prokuror në gjithë gadishullin e Ballkanit dhe baras me disa vende të Europës. Nuk ka gjë më absurde dhe kjo vetëm sa u ka rritur oreksin”, tha Berisha.
“Pra, ato rroga, ka mes tyre njerëz të ndershëm, nuk i mohoj fare, por si vepron korporata e krimit, e shndërruar në një korporatë, e lidhur Sadush-Duman, Duman-Sadush, kjo është. Por prapë do kohë. Këto fraza që dëgjuat ju për drejtësinë janë hapat e parë. Ne do të vazhdojmë. Sot përsëri ka avoketër të drejtësisë politike. Ka. Sot, ata të cilët të korruptuar apo jo të korruptuar, nuk e di, u bënë avoketër kryesorë të kësaj korporate. Bëjnë gjithçka që ta mbrojnë, por diellin me shoshë nuk e mbulojnë. Ne do bëjmë gjithçka që vendi të ketë sistemin e drejtësisë dhe i garantoj kurrë me rrogat më të larta në rajon, por me rroga në proporcion me vendin”, shtoi Berisha sot në deklaratën për shtyp.
Kjo deklaratë e bërë nga ana e Gjykatës Kushtetuese, vlen për të nxjerrë në pah pavarësinë e saj si institucion i drejtësisë, teksa ajo thekson se nuk ndikohet nga këto faktorë si më sipër, dhe se vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash.
Fraksion.com

