Zgjatja e hetimeve ndaj Ilir Metës! Berisha: Presidenti i PL është në burg pa fakt penal, po shkelen konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar me tone të ashpra në një konferencë për shtyp lidhur me zgjatjen me 6 muaj të hetimeve ndaj Ilir Metës, Presidentit të Partisë së Lirisë. Berisha e cilësoi situatën si një “burgosje politike” dhe një “shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut”.
Sipas tij, Meta ndodhet në burg pa asnjë provë penale konkrete dhe pa një fletë-arresti të rregullt, ndërkohë që dosja e paraqitur në gjykatë nuk përmban fakte që ta mbajnë në qeli. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për një urdhër politik të drejtpërdrejtë për arrestimin e një kundërshtari të mbrojtur me ligj nga Garda e Republikës.
“Kjo është forma më e shëmtuar e një narko-diktature. Sipas Huntington, narko-diktatura nuk njeh ligj, rregull apo parim. Kështu ndodh edhe sot në Shqipëri,” – deklaroi Berisha.
Ai shtoi se veprime të tilla përbëjnë shkelje të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe standardeve ndërkombëtare të drejtësisë, duke e cilësuar situatën si një përndjekje politike në emër të urrejtjes ndaj kundërshtarëve të qeverisë. Berisha theksoi se opozita nuk do të heshtë përballë këtij zhvillimi dhe do të mbrojë çdo qytetar që sipas tij bie viktimë e drejtësisë së kontrolluar nga qeveria.
Kreu i PD Sali Berisha në konferencë për mediat: Ilir Meta është në burg, pa asnjë fakt penal. U kërkuan 6 muaj shtesë hetime. Kjo përbën shkelje të rëndë të ligjeve të vendit dhe konventave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Forma më e shëmtuar e diktaturave është narko-diktatura. Huttington thotë se narko-diktatura nuk zbaton asnjë ligj, asnjë rregull, kriter dhe parim. E kanë arrestuar pa i paraqitur fletë-arresti, sepse Edi Rama donte që me çdo kusht, që ai të goditej, një person që mbrohet nga Garda e Republikës. E mbajnë në qeli pa provë, vetëm urdhër politik. Dorëzojnë dosje në gjykatë pa fakt penal dhe vendosin t’ja zgjasin hetimet edhe 6 muaj dhe për këtë qëllim e mbajnë në burg. Nuk ka kufi urrejtja e Ramës ndaj kundërshtarëve politikë.
Fraksion.com