AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Stërvitja “Defender ’25” dëshmoi profesionalizmin e FA-së

Forcat amerikane dhe shqiptare u stërvitën krah për krah me aleatët e NATO-s në kuadër të “Defender ’25”, një nga stërvitjet më të mëdha dhe më komplekse të dekadës së fundit në Evropë dhe Afrikë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga aktiviteti i organizuar me rastin e përmbylljes së kësaj stërvitje, e cila u zhvillua në disa vende të rajonit, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Rama vlerësoi se “stërvitja tregoi dhe njëherë profesionalizmin dhe përkushtimin e Forcave tona të Armatosura nën udhëheqjen e Komandës Europiane të SHBA-së, në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate dhe partnere të NATO-s”.

Stërvitja “Defender ’25” kishte në fokus zhvillimin e aftësive për operacione të spektrit të plotë, duke përfshirë dislokimin e forcave, mbrojtjen nga sulme konvencionale dhe jo-konvencionale, mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe realizimin e operacioneve të përbashkëta në mjedise shumëdimensionale.

Forcat shqiptare luajtën një rol kyç në drejtimin dhe zbatimin e skenarëve stërvitorë nga rajoni i Zall-Herrit, në bashkëpunim të ngushtë me Shtabin e Brigadës Shumëkombëshe dhe oficerë nga SHBA, Kosova dhe Kroacia.

 

Fraksion.com