Publikimi i videos ku humbi jetën Martin Cani, Prokuroria e Tiranës regjistron procedim penal: Zbulim i akteve ose të dhënave sekrete
Publikimi i videos së konfliktit në Shkollën ‘Fan Noli’ ku humbi jetën i mituri Martin Cani ka bërë që Prokuroria e Tiranës të regjistrojë procedim penal për ‘Zbulim të akteve ose të dhënave sekrete’.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë regjistroi procedim penal për veprën penale ‘Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete’ parashikuar 295/a pas publikimit në media dhe portale të ndryshme të një video mbi ngjarjen në shkollën 9-vjeçare ‘Fan Noli’, ku humbi jetën i mituri M.C.
Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera në lidhje më këtë procedim, janë administruar në cilësinë e provës materiale edhe një CD me pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë që kanë fushëpamje në rrugën ku kanë kaluar të miturit drejt vendit të ngjarjes, veprim i cili është dokumentuar me procesverbalin për këqyrje dhe marrje të provës materiale nga ana e policisë gjyqësore.
Në përfundim të hetimeve, CD-në me pamjet filmike të disponuara nga prokuroria, i janë vënë në dispozicion mbrojtësit të familjarëve të viktimës, avokatit, i cili e ka marrë atë dhe të gjitha aktet e fashikullit, kundrejt nënëshkrimit të deklaratës për mospublikimin e saj.
Kjo çështje aktualisht është në gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku po zhvillohet gjykimi në themel me dyer të mbyllura.
Për sa më sipër, ka të dhëna të mjaftueshme se janë konsumuar elementët e figurës së veprës penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, të parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal.
Fraksion.com