Ndahet nga jeta regjisori dhe skenaristi Leka Bungo
Shuhet në moshën 81-vjeçare regjisori dhe skenaristi Leka Bungo, pas betejës me një sëmundje të rëndë.
Lajmin e konfirmoi e bija, përmes një statusi në rrjetet sociale. Bungo ishte një nga emrat më të spikatur të artit shqiptar, me kontribute të rëndësishme në teatër, film dhe televizion.
Leka Bungo lindi në Vlorë më 28 shkurt 1944. U diplomua për aktrim në shkollën “Aleksandër Moisiu” dhe më pas në Institutin e Arteve të Bukura në Tiranë për regji. Pas diplomimit punoi si drejtor në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë, dhe në vitin 1971, pas krijimit të Teatrit “Bylis” në Fier, u bë drejtor i tij.
Në vitin 1973, vënia në skenë e dramës “Historia e një vajze” nuk u prit mirë nga pushteti i kohës dhe u kritikua për qëndrime liberale në art. Bungo u dërgua në Patos, i dënuar me punë fizike në kuadër të riedukimit. Më pas punoi në Shtëpinë e Kulturës në Patos dhe në vitet ’80 u kthye në Tiranë, ku u emërua regjisor në Estradën e Shtetit, në të cilën vuri në skenë disa shfaqje që prekin probleme të mprehta sociale të kohës, me satirën si element kryesor.
Në kinematografi u shfaq në vitin 1966 me “Oshetime në bregdet” dhe shumë vite më vonë (1990) me filmin “Një djalë dhe një vajzë”. Në teatër ai luajti në vitin 1980 në dramën “Pabesia”. Leka Bungo ka shkruar gjithashtu skenarin e disa filmave dhe telekomedive si:
“Tre njerëz me gunë” (1985);
“Mirela” (1988);
“Pas fasadës” (1992);
“Çarli Çaplini në Shqipëri”.
Në vitin 2001 u emërua anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH-së.
Në vitin 2016 realizoi serialin “Rrokulisja”, i cili i referohej ngjarjeve të vitit 1997.
Për një periudhë 4-vjeçare, nga viti 2021 deri në shkurt të 2025-ës, Bungo mbajti postin e kryetarit të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.
Bungo ishte kryetar i Këshillit Drejtues të RTSH.
Ai është nderuar me titullin “Qytetar Nderi i Fierit”.
Fraksion.com