AktualitetPolitikëTë fundit

Denoncimi i Berishës: Ja si u mblodhën kartat e identitetit të pensionistëve që të mos votojnë

Kreu i PD, Sali Berisha, ka denoncuar një tjetër episod që sipas tij dëshmon manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit 2025.

Në një deklaratë publike, ai akuzon qeverinë se ka mbledhur kartat e identitetit të pensionistëve për t’i penguar të votojnë.

Sipas Berishës, ky është një veprim i organizuar nga punonjës shteti me urdhër të Edi Ramës. Ai e cilëson procesin zgjedhor si një farsë të shëmtuar elektorale.

 

Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha:

Sot, përsëri jam këtu për farsën e shëmtuar elektorale të narksoshtetit të 11 Majit 2025.

E vërteta është se farsa siç po provojmë çdo ditë me fakte, është tërësisht një proces kriminal nga alfa tek omega e saj.

Për Edi Ramën dhe narkozyrtarët e tij, nuk kanë mjaftuar përdorimi i 76 milionë eurove, 100 euro për çdo pensionist për të blerë vota.

Nuk kanë mjaftuar 200 milionë euro gjoba dhe kamata të falura 2 ditë para zgjedhjeve.

Nuk kanë mjaftuar 500 milionë euro prokurime tek oligarkët e tij për të blerë vota.

Nuk kanë mjaftuar dhjetëra mijëra punësime për vota.

Nuk kanë mjaftuar 29 mijë hektarë kanabis në të cilat mbillen së paku 100 milionë rrënjë kanabis.

Nuk kanë mjaftuar dhjetëra mijëra leje legalizimesh, ndërtimi, certifikata pronësie, duke përdorur fuqinë ekzekutive në fushatë elektorale.

Nuk ka mjaftuar organizimi i mbi 4500 aktiviteteve në periudhën katërmujore elektorale për të ndikuar tek zgjedhësit.

Por ai ka urdhëruar edhe metoda të tjera kriminale sepse Edi Rama është i gatshëm të marrë çdo vendim, të urdhërojë çdo akt dhe çdo veprim për të ruajtur karrigen e tij të krimit.

Këtu është dëshmia tronditëse se si narkobanditi, punonjësi i shtetit, shkon dhe mbledh kartat e identitetit të qytetarëve, me pretekstin se do i disbursojë pensionin dhe kartat ua mban, duke ditur bindjet e tyre politike, që ata të mos votojnë.

Pra ky bandit, punonjës i shtetit, narkobandit, ky me urdhër të Edi Ramës shkelmon të drejtën kushtetuese themelore të qytetarëve.

Unë dua të përshëndes këtë çift të moshuar, por njerëz kurajozë, që e denoncuan haptas këtë akt të përsëritur me mijëra e mijëra raste.

Ju, është bërë tashmë e njohur, se një nga detyrat kryesore të punonjësve, është mbledhja e kartave të identitetit, gjer në 20 të tilla, në mënyrë që narkoqeveria të blejë të drejtën e votës ose t’i përdorë ato me emra të tjerë. Kjo është histori tjetër.

Le të ndjekim rrëfimin e tyre, një aktakuzë e rëndë, e cila rrëzon të gjithë propagandën e pseudointelektualëve, intelektualëve të llumit, që çdo ditë përpiqen duke trilluar dhe mashtruar, herë si analistë e herë si banalistë, të mbrojnë veprën kriminale të Edi Ramës, të mbrojnë farsën elektorale që iu imponoi popullit shqiptar ky narkodiktator.

Këta janë një grusht i vogël njerëzish, të cilët janë të lidhur me fijet më të errëta me krimin. Krimin e të gjitha llojeve, nga krimi i dikurshëm politik gjer te narkokrimi i sotëm.

Por të vërtetat që paraqiten këtu dëshmojnë, nxjerrin në pah fytyrën e vërtetë, që ata mbrojnë, Edi Ramës.

Rasti i denoncuar:

Denoncuesi: Kush jeni, si e keni emrin?
Qytetari: Lodovik …
Denoncuesi: Lodovik kush …
Qytetari: Lodovik Rrethi.
Denoncuesi: A doni me votu nesër…
Lodovik Rrethi: Po ishalla…
Denoncuesi: A keni kartë?
Lodovik Rrethi: Jo. E kam kartën por na e ka marrë ai mjeshtri…
Denoncuesi: Si e ka emrin …
Lodovik Rrethi: Besmiri … te posta.
Gentian Ndoj: Kartën tënde kush e ka marrë?
Lodovik Rrethi: Besmiri.
Gentian Ndoj: Besmiri … Pse nuk ta kthen kartën Besmiri…
Lodovik Rrethi: Nuk di gjë, puna e tij. Ai nuk i hedh lekët ai…
Gentian Ndoj: A të duhet karta ty…
Lodovik Rrethi: Më duhet nesër, kismet …
Gentian Ndoj: Pse të duhet karta…
Lodovik Rrethi: Me votu.
Gentian Ndoj: Sa kohë ka që ta ka marrë kartën?
Lodovik Rrethi: Ka 1 javë.

Qytetarja: Marie Rrethi.
Denoncuesi: Sa vjeç je?
Marie Rrethi: 78.
Denoncuesi: Pensionin a e ke marrë
Marie Rrethi: Jo.
Denoncuesi: A don me votu nesër?
Marie Rrethi: Po nesër, për Zotin do të mi bin se s’bën more, s’ka ka ja man. Unë atë ja du.
Denoncuesi: Ç’ka?
Marie Rrethi: Kartat i du në shtëpi.
Denoncuesi: Kush ua ka marrë kartat …
Marie Rrethi: Ky Besi na i ka marrë.
Denoncuesi: Ku punon ai.
Marie Rrethi: Don lek.
Denoncuesi: Çfarë lekësh?
Marie Rrethi: Lekët e pensionit…
Denoncuesi: Tash sa kohë ua ka marrë kartat.
Marie Rrethi: Ka tash 1 javë, tash ni javë po them unë se, kartat janë marrë ma tepër.
Denoncuesi: Pra, ai ua ka marrë kartat dhe nuk ua kthen.
Marie Rrethi: Nuk i kthen, për s’gjallë nuk i kthen.
Denoncuesi: A keni shku me ja kërku kartat?
Marie Rrethi: Ka shku Liku, i kam thënë Likut, çfarë është mor kështu, thotë. Duhet me ja çu Luisit, Luis Lazrit, për me i pru te shpia.
Denoncuesi: E çfarë i ka thënë ai për kartat.
Marie Rrethi: I ka thënë du me ja çu asaj. Mi jep mor mu, i ka thanë kartat. Jo jo i ka thënë, do ja çoj atje, se do i çoj dhe lekët. As ka pru lekë, as ka pru karta.
Denoncuesi: Pra, ju s’keni kartë?
Marie Rrethi: Jo në shtëpi. Jo, jo atje i ka, ai vetë i ka marrë. Hala vaki s’më ka bë kështu.

Gentian Ndoj: Një rast flagrant ka ardhur nga fshati i Barbullushit, ku një denoncues është ankuar pranë Partisë Demokratike, sepse një punonjës poste, i cili shpërndan pensionet në Barbullush, Besmir Lepi u ka marrë kartën e identitetit dhe nuk ua rikthen.
Qytetarët pa kartën e identitetit nuk mund të votojnë, ndaj i bëj thirrje organeve kompetente, Policisë së Shtetit që të marrin masa ndaj këtyre personave sepse po kryejnë krime zgjedhore.

 

Fraksion.com