AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Bergner: Gjermania është partneri më i qendrueshëm i Shqipërisë, ka investuar 2,5 miliard euro

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner bëri të ditur sot se “gjatë viteve kemi pasur 2,5 miliardë euro investime në projekte të ndryshme dhe kjo e ka bërë Shqipërinë përfituesen më të madhe të ndihmës gjermane”.

Në një komunikim me mediet, ambasadori Bergner nënvizoi se “Gjermania është partneri më i qëndrueshëm i Shqipërisë për sa i përket bashkëpunimit për zhvillim”.

Mendoj, vijoi ai, “se qëllimi i gjithë kësaj është të përmirësojë kushtet e jetesës së shqiptarëve në shumë aspekte të ndryshme dhe ky ka qenë një proces i vazhdueshëm”.

Ambasadori Bergner vlerësoi se po punohet për përmirësimin e kushteve të jetesës së shqiptarëve në shumë sektorë, mbi të gjitha në infrastrukturë, projekte energjetike, zhvillim të qëndrueshëm, menaxhim të mbetjeve, zhvillimin ekonomik të vendit.

“Kjo nuk është vetëm për përmirësimin e kushteve të jetesës së shqiptarëve, por për të ndihmuar Shqipërinë të përmbushë kërkesat e BE-së për sektorë të ndryshëm. Dhe kjo nuk është vetëm për të pasur një shans mbi anëtarësimin, kjo nuk do të thotë se do të më kujtohen edhe projekte të ndryshme. Do të thosha se këto projekte janë aq të suksesshme saqë në 5 deri në 10 vitet e fundit shumë donatorë ndërkombëtarë po kërkojnë të bashkohen me ne dhe disa e kanë bërë tashmë këtë”, shtoi ai.

Drejtuesi i Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim, Iven Schad duke u ndalur te klima dhe energjia, nënvizoi se rreth 70% e parave të përdorura në Shqipëri janë për energjinë.

“Bëhet fjalë edhe për ujin dhe kanalizimet. Pothuajse gjysma e popullsisë përfiton. Më vonë, do të shkojmë edhe në Vlorë. Nuk janë vetëm punimet për sezonin turistik, por edhe kredia gjermane për ujin, kanalizimet dhe ujin e ëmbël e kështu me radhë”, tha ai.

Schad nënvizoi se “pjesa më e madhe e ndihmës gjermane është për mjedisin e biznesit, inovacionin dhe detin”.

“Ne gjithashtu synojmë të stimulojmë zhvillimin e biznesit dhe përmes kësaj do të ketë vende pune për të rinjtë”, përfundoi Schad.

 

Fraksion.com