Spiropali: Synojmë hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave me BE brenda qershorit
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali bëri të ditur sot se Shqipëria synon të hapë të gjithë kapitujt e negociatave brenda muajit qershor 2025.
Në këtë kuadër, Kryetarja e Kuvendit Spiropali shprehu besimin për mbështetjen e fuqishme të këtij plani edhe nga shtetet anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, Bullgaria, Greqia, Rumania, Kroacia dhe Sllovenia.
Spiropali iu drejtua sot sesionit XII plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, ku merrnin pjesë delegacione nga Bullgaria, Turqia, Greqia, Rumania, Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, Bosnje-Herzegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Duke folur për procesin e integrimit europian, Spiropali nënvizoi se “Shqipëria po ecën me hapa të shpejtë e të vendosur drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe konsolidimit të vlerave thelbësore europiane”.
“Jemi të angazhuar për respektimin e të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e pakicave, modernizimin e sistemit politik, fuqizimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit, zhvillimin e ekonomisë dhe rritjen e mirëqenies. Objektivi ynë strategjik kombëtar për të mbyllur negociatat brenda vitit 2027 dhe për t’u anëtarësuar brenda vitit 2030 ka gjetur mbështetjen e Parlamentit dhe Komisionit Europian si edhe po fiton mbështetje të gjerë nga vendet anëtare”, tha ajo.
Po ashtu, Spiropali u shpreh se “politika jonë e jashtme dhe e sigurisë është plotësisht në një linjë me politikën e Bashkimit Europian”.
“Shqipëria i ka shërbyer sigurisë dhe paqes me mandatin e saj të suksesshëm si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara gjatë viteve 2022-2023, organizimin në Tiranë të Samitit Europë Juglindore-Ukrainë në shkurt 2024, mbështetjen e luftës së drejtë të Ukrainës dhe hapjen e Ambasadës në Kiev etj. Përshpejtimi i ritmeve të integrimit europian nga Shqipëria është njëkohësisht një stimul edhe për vendet e tjera kandidate të rajonit. Sepse ne e konsiderojmë Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore si një mekanizëm të fuqishëm që synon jo vetëm të forcojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të promovojë dialogun dhe të nxisë bashkëpunimin dhe forcojë besimin ndërmjet shteteve pjesëmarrëse, por edhe si një mundësi për të bashkërenduar përpjekjet proceset e integrimin europian dhe euroatlantik të vendeve tona”, tha ajo.
Sipas Spiropalit, “mbështetja nga vendet e Europës Juglindore e procesit të integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor është më shumë se një akt solidariteti”.
“Është një kontribut i shtuar në mënyrë që Shqipëria, Bosnje-Herzegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia si edhe vendet e tjera të Europës Juglindore të bëhen sa më shpejt jo thjesht anëtarë, por vlera të shtuara të familjes europiane. Anëtarësimi në Bashkimin Europian i vendeve tona do të shërbejë si një burim për energjezimin e Evropës, për ta bërë atë më të madhe, më të fortë, më kohezive”, tha Kryetarja e Kuvendit.
Po ashtu, Spiropali vlerësoi se “Presidenca shqiptare e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore kontribuoi në intensifikimin e bashkëpunimit rajonal, duke përfshirë përveç procesit të integrimit europian, edhe prioritetet e tjera të bashkëveprimit: garantimin e sigurisë, rritjen ekonomike, bashkëpunimin në fushën e shërbimeve publike jetësore, me fokus të veçantë shërbimin shëndetësor, në fushën e turizmit dhe të kulturës etj”.
Fraksion.com