AktualitetBota+Të fundit

Sanksionet e SHBA i japin një goditje të re GJNP-së

Pse SHBA-të rivendosin sanksione mbi Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP)? Pas veprimit të fundit hakmarrës të Donald Trump, Uashingtoni po përballet me kritika në rritje në mbarë botën.

Kombet e Bashkuara dhe BE-ja kanë kritikuar ashpër sanksionet e fundit kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) të vendosura nga administrata amerikane e Presidentit Donald Trump. BE-ja tha, se do të shqyrtojë përgjigjet e mundshme.

GJNP-ja i nxjerr para përgjegjësisë autorët e krimeve më të rënda në botë dhe u jep viktimave një zë, shkroi në mediat sociale Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen. Gjykata duhet të jetë në gjendje të veprojë lirisht pa presion.

Volker Türk, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, gjithashtu kritikoi ashpër sanksionet e SHBA-së. Këto sulme ndaj gjyqtarëve, tha ai, bien ndesh drejtpërdrejt me sundimin e ligjit. Ato janë “thellësisht minuese për qeverisjen e përgjegjshme”.

SHBA: Gjykata me “veprime të Paligjshme”

Të enjten, SHBA-të vendosën sanksione të reja kundër katër gjyqtarëve të GJND-së për “veprime të paligjshme kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit”. Qeveria amerikane argumenton se gjykata nuk ka juridiksion legjitim mbi personelin amerikan ose aleatët e SHBA-së si Izraeli,  pasi as SHBA-të dhe as Izraeli nuk janë shtete palë në GJND.

“Gjykata Penale Ndërkombëtare është e politizuar dhe pretendon në mënyrë të rreme vlerësim vetjak të pakufizuar për të hetuar, paditur dhe ndjekur penalisht shtetasit amerikanë dhe aleatët tanë. Ky abuzim me pushtetin shkel sovranitetin dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë”, tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, në një deklaratë.

Kompetenca të gjera të presidentit

Uashingtoni i referohet gjithashtu Aktit Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencës (IEEPA) të vitit 1977. Ky organ legjislacioni i jep presidentit të SHBA-së autoritetin për të vendosur sanksione ekonomike nëse sheh një kërcënim për sigurinë kombëtare ose politikën e jashtme të SHBA-së.

GjNP-ja u krijua në vitin 2002 si një instancë e fundit për të mbajtur përgjegjës krerët e shteteve dhe figura të tjera kyçe për mizoritë e kryera, kur gjyqësori në shtetet e prekura nuk është në gjendje ose nuk është i gatshëm të zhvillojë gjyqe. Më shumë se 120 shtete, përfshirë të gjitha shtetet anëtare të BE-së, janë anëtarësuar vullnetarisht në traktatin ndërkombëtar që themelon gjykatën.

Gjykata Ndërkombëtare Penale  (GJND) i përshkroi sanksionet e SHBA-së si “një përpjekje të qartë për të minuar pavarësinë e një institucioni gjyqësor ndërkombëtar”. Puna e GJND-së ofron “drejtësi dhe shpresë për miliona viktima të mizorive të paimagjinueshme”.

Sanksionet e fundit janë pjesë e një sërë masash ndëshkuese të ndërmarra nga qeveria amerikane kundër gjykatës. Këtë herë, ato synojnë katër gjyqtarë të GJNP-së: Solomy Balungi Bossa (Uganda), Luz del Carmen Ibáñez Carranza (Peru), Reine Alapini-Gansou (Benin) dhe Beti Hohler (Slloveni).

Dy prej tyre ishin të përfshirë në procedurat që çuan në një urdhër arresti të GJNP-së për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu më 21 nëntor 2024. Akuzat përfshinin krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës. Izraeli i mohon akuzat. Dy gjyqtarët e tjerë në listën e zezë kishin autorizuar hetimin për krime lufte të dyshuara nga forcat amerikane në Afganistan.

Sanksionet e reja të së enjtes (05.06.) i shtohen atyre të njoftuara në shkurt kundër kryeprokurorit të gjykatës, Karim Khan. Ato vijnë gjithashtu në mes të kohërave të trazuara për gjykatën, pasi Khan dha dorëheqjen muajin e kaluar në pritje të një hetimi mbi akuzat për sjellje të pahijshme seksuale.

A mund t’i bllokojë BE-ja sanksionet?

BE-ja u zotua se do të vazhdojë të mbështesë Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Disa vende shpresojnë për masa më të ashpra, siç është i ashtuquajturi “Statuti i Bllokimit”. Këto ligje të BE-së, të miratuara në vitet 1990, kanë për qëllim të zbusin goditjen ekstraterritoriale të masave amerikane. Për shembull, ato u ndalojnë kompanive të BE-së të zbatojnë sanksionet amerikane që BE i konsideron të paligjshme.

Ligji kishte për qëllim të parandalonte që kufizimet e SHBA-së ndaj Kubës të dëmtonin tregtinë evropiane me këtë vend. Ligjet u përditësuan më vonë për të përfshirë sanksionet e SHBA-së kundër Iranit. Tani Sllovenia dhe Belgjika po i bëjnë thirrje ekzekutivit të BE-së të zbatojë të njëjtat ligje kundër sanksioneve të fundit të SHBA-së.

Megjithatë, shtetet anëtare të BE-së nuk bien gjithmonë dakord për qëndrimin ndaj GJNP-së.  Ndryshe nga gjykatat kombëtare, GJNP-ja nuk ka një forcë policore. Në vend të kësaj, ajo mbështetet te anëtarët e saj për të ekstraduar të dyshuarit që mbërrijnë në territorin e tyre. “GJNP-ja përshkruhet në mënyrë të njohur si një gjigant pa krahë dhe këmbë – ajo nuk mund t’i zbatojë vërtet këto urdhër-arreste. Varet nga vullneti politik i shteteve”, tha profesori i së drejtës penale ndërkombëtare Mathjiy Holvoet për DW në fillim të këtij viti.

Për shembull, në fillim të vitit 2025, Italia dështoi të arrestonte një shef policie nga Libia, të kërkuar nga GJPN-ja për krime të dyshuara lufte. Edhe Hungaria u tërhoq nga gjykata pasi shtroi qilimin e kuq për kryeministrin Netanyahu në kundërshtim të hapur me urdhërarrestin e GJPN-së.

 

Fraksion.com