AktualitetTë fundit

“Pagova 100 mijë euro për Dorian Shkozën”, Alibej rrëfehet në GJKKO: Për vrasjen e vëllezërve Haxhia i dhashë Nuredin Dumanit

Në kuadër të mega-procesit gjyqësor “Plumbi i Artë” në GJKKO, bashkëpunëtori i drejtësisë Erjon Alibej vijoi sot dëshminë e tij, duke zbuluar detaje të reja për vrasjet e porositura, financimet dhe rrjetin e lidhjeve kriminale. Në seancën e sotme, Alibej foli hapur për rolin e tij në vrasjen e Dorjan Shkozës, vëllezërve Haxhia dhe përpjekjet për të gjetur Talo Çelën.

Alibej pranoi se për vrasjen e Dorjan Shkozës kishte paguar 100 mijë euro, ndërsa armët u blenë në Tiranë me çmime që varionin nga 500 deri në 3,500 euro.

Alibej tregoi se kishte takuar Nuredin Dumanin pas vrasjes së vëllezërve Haxhia, por që me të ishte në kontakt të vazhdueshëm. Ai diskutoi me Dumanin edhe për Talo Çelën, duke pyetur nëse do të “bëhej i gjallë” pas vrasjes së Shkozës.

Gjithashtu, Alibej zbuloi se Dumani kishte lidhje me “çunat e Fushë-Krujës”, por nuk dinte emrat e tyre. Një nga bashkëpunëtorët e Dumanit ishte Klevis Alla, i cili kishte parë Talo Çelën tek shtëpia e vëllezërve Haxhia.

 

Në platformën e enkriptuar Sky ECC, Alibej komunikonte me Plarent Dervishin, i cili përdorte kodet “Barcelona” dhe “Ghost”. Dervishi i shkruan Alibejt: “Mbohet qefi që e ke gjetur Talo Çelën?”, një detaj që e habiti atë, i cili më pas u kujtua se Dervishi kishte lidhje të forta me Festim Qolin.

 

Alibej rrëfeu se për vrasjen e vëllezërve Haxhia i kishte dhënë Dumanit 2 kallashnikovë dhe 1 pistolë. Planifikimi fillestar ishte për të vrarë Altin Ndocin dhe Besmir Haxhinë, por si viktimë e paplanifikuar doli edhe Viktori.

Pas vrasjes, Alibej mori vesh nga lajmet dhe pyeti Dumanin pse kishte gjurmë gjaku në makinë. Dumani u përgjigj: “Kemi qëlluar me xhama të mbyllur dhe ‘Kusho’ është lënduar në këmbë.” Më pas, një i quajtur “Nipi” u shoqërua me policinë, dhe Dumani tha se ky po fliste shumë, duke u informuar nga komshinjtë, përfshirë një mik të tij i quajtur “Miri Pojes”.

 

Fraksion.com