AktualitetPolitikëTë fundit

“Ka abuzuar me fondet publike”, PL: SPAK të nisë hetim penal për kryebashkiaken e Durrësit

Partia e Lirisë i bëri thirrje SPAK të hetojë kryetaren e bashkisë Durrës, Emirjana Sako për shkelje të ligjit dhe abuzim me fondet publike.

Anëtarja e Këshillit Bashkiak në bashkinë e Durrësit, Anisa Ibraj, në një deklaratë për medie bëri të ditur se kryetarja e bashkisë, Emiriana Sako ka refuzuar për herë të tretë të zbatojë vendimin e Komisionit të Prokurimeve Publike për një tender me vlerë 1.7 milionë euro për rindërtimin e një pallati të dëmtuar nga tërmeti.

“Ky është një akt i rëndë dhe i paprecedentë që tregon mënyrën sesi pushteti lokal nën drejtimin e Partisë Socialiste përdoret për interesa klienteliste dhe në kundërshtim me çdo parim të shtetit ligjor”, tha ajo.

Sipas Ibrajt, “në vend që bashkia të veprojë në funksion të qytetarëve ajo zgjedh të anashkalojë një vendim institucional vetëm sepse kompania fituese nuk është ajo e preferuar nga pushteti”.

“Refuzimi i zbatimit të një vendimi të formës së prerë përbën shkelje të rëndë të ligjit, cenim të barazisë në tenderë dhe një fyerje për qytetarët që presin prej vitesh rindërtimin e banesave të tyre. Fondet publike nuk janë pronë e kryebashkiakes, nuk janë pronë e partisë, por janë një detyrim ndaj qytetarëve”, tha ajo.

Në këtë kuadër, Partia e Lirisë i bëri thirrje SPAK të nisë menjëherë një hetim penal për këtë çështje.

“I bëjmë thirrje institucioneve mbikëqyrëse të ndalojnë menjëherë këtë tentativë për kapjen e fondit publik dhe manipulimin e procesit të tenderimit”, thuhet në deklaratën për shtyp.

 

Fraksion.com