AktualitetTë fundit

Shqiptari gjendet i plagosur me plumb në kokë në Itali

Një shqiptar është plagosur me armë zjarri në komunën Fontaniva të Italisë.

Shqiptari i identifikuar si Fatos Cenaj është gjetur i plagosur dje në mëngjes rreth orës 09:30, pranë rrugës “Via Casoni”, ku kalimtarë të rastësishëm vunë re një çiklist të shtrirë në tokë dhe fillimisht menduan se bëhej fjalë për një aksident rrugor.

Pasi ambulanca mbërriti në vendngjarje, u kuptua se 59-vjeçari nuk kishte rënë thjesht nga biçikleta, por kishte një plagë të shkaktuar nga armë zjarri në fytyrë.

Menjëherë pas konstatimit të plagës me armë, në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e karabinierisë nga Njësia Hetimore e Komandës Provinciale të Padovës. Zona u izolua për të bërë të mundur grumbullimin e çdo prove që mund të ndihmojë në zbardhjen e rrethanave të atentatit.

Në këtë fazë hetimesh, nuk përjashtohet asnjë pistë. Një nga hipotezat më të forta është ajo e një të shtënë nga një automjet në lëvizje. Cenaj kishte dalë për një shëtitje të zakonshme me biçikletë në një mëngjes të qetë të së dielës.

Policia ka sekuestruar të gjitha pamjet nga kamerat e sigurisë në zonë dhe ka marrë në pyetje dëshmitarët që mund të kenë parë momentin e ngjarjes ose ndonjë lëvizje të dyshimtë.

 

Fraksion.com