AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Zbulimi i rrënojave antike, arkitekti spanjoll po riprojekton shkollën “Gjergj Kastrioti” në Durrës

Pas zbulimit të rrënojave antike në kantierin e ndërtimit të shkollës “Gjergj Kastrioti” po punohet për riprojektimin e ndërtesës së re.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga puna e arkitektit spanjoll Toni Girones për projektin e ndërtimit të kësaj shkolle.

“Në Durrës, arkitekti i mirënjohur spanjoll Toni Girones po punon për riprojektimin e shkollës së re “Gjergj Kastrioti” pas zbulimit të rrënojave antike në kantierin e ndërtimit dhe ideja e tij e ndërthurjes së shkollës me zonën e kërkimit, do t’i japë jetë një tjetër transformimi spektakolar, të denjë për ambicien tonë për Durrësin 2030 si edhe për faqet e revistave të arkitekturës bashkëkohore europiane”, tha Rama.

Shkolla “Gjergj Kastrioti” u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, vetëm një vit pasi ishte festuar 50-vjetori i ndërtimit të saj. Gjatë hapjes së themeleve për ndërtimin e shkollës u zbuluan një sërë objektesh me rëndësi, mes të cilave edhe termat, tre mozaikë në gjendje të ruajtur, një tjetër i dëmtuar, si dhe një sërë afreskesh që shërbenin si faqe anësore për një pishinë.

Gjithashtu u zbuluan rreth 300 monedha, që i përkasin periudhave dhe prodhimeve të ndryshme, hedhin dritë mbi periudha të ndryshme të jetës ekonomike të qytetit bregdetar.

 

Fraksion.com