AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Me aplikacionin TEA mund të raportohet çdo problem mjedisor në plazhe

Dita Botërore e Mjedisit, e mbajtur çdo vit më 5 qershor  inkurajon ndërgjegjësimin dhe veprimin mbarëbotëror për të mbrojtur mjedisin.

“T’i japim fund ndotjes nga plastika” është tema e Ditës Botërore të Mjedisit për vitin 2025, për të inkurajuar komunitetet në të gjithë globin të miratojnë dhe promovojnë zgjidhje të qëndrueshme.

Kryeministri Edi Rama tha sot në një postim në rrjetet sociale se “Dita Botërore e Mjedisit na kujton se ndryshimi fillon nga secili prej nesh”.

Rama bëri të ditur se “me aplikacionin TEA, mund të raportosh çdo problem mjedisor në plazhe, në pak sekonda”.

“Ngarko një foto, përshkruaj problemin dhe ndihmo në mbrojtjen e natyrës. Raportimet dërgohen direkt tek institucionet përkatëse”, u shpreh Rama.

E udhëhequr nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) dhe që mbahet çdo vit që nga viti 1973, Dita Botërore e Mjedisit është bërë platforma më e madhe globale për shtrirjen mjedisore. Këtu miliona njerëz nga e gjithë bota angazhohen në ngjarje online dhe personalisht për të mbrojtur planetin.

 

Fraksion.com