Konferenca e INTERPOL-it në Athinë, Proda: Thellojmë luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit ndërkufitar
Në kuadër të punimeve të Konferencës së 52-të Rajonale të INTERPOL-it, që u zhvillua në Athinë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda zhvilloi një sërë takimesh dypalëshe me drejtues të lartë të agjencive ligjzbatuese ndërkombëtare dhe homologët e tij.
Takimin e parë Proda e zhvilloi me Presidentin e Interpolit, Gjeneral Major Ahmed Naser Al-Raisi.
Proda falënderoi presidentin e Interpolit “për besimin te Policia e Shtetit, për mbështetjen e madhe për kapjen dhe ekstradimin e personave në kërkim ndërkombëtar, veçanërisht ata që fshiheshin në Emiratet e Bashkuara Arabe”.
“Ju siguroj për vendosmërinë time, të Policisë së Shtetit dhe shtetit shqiptar, për të thelluar bashkëpunimin në luftën kundër fenomeneve kriminale globale. Ju ftoj juve, partnerët dhe agjencitë që koordinojnë veprimet policore të mbështesni edhe më shumë Policinë e Shtetit, e cila tashmë po vepron me profesionalizëm dhe në nivel të barabartë me policitë partnere në aspekte hetimore dhe operacionale”, tha Proda.
Nga ana tjetër Ahmed Naser Al-Raisi vlerësoi punën dhe seriozitetin e Policisë së Shtetit “për të luftuar krimin e organizuar, si dhe vendosmërinë për të bashkëpunuar me partnerët pa barriera, vendosmëri e cila ka krijuar një klimë besimi gjithnjë e në rritje për Policinë e Shtetit”.
“Këto elemente do të ndihmojnë së tepërmi në vendosjen përpara drejtësisë të personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Interpoli do të vijojë të mbështesë Policinë e Shtetit për të punuar bashkërisht në luftë kundër kërcënimeve globale”, tha Ahmed Naser Al-Raisi
Po gjatë konferencës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda takoi Sekretarin e Përgjithshëm të INTERPOL-it, Valdecy Urquiza, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Kombëtare Greke, gjenerallejtnant Dimitrios Mallios, menaxherin e Projektit EU4FAST WB, Antonio Montanaro, si dhe përfaqësues të tjerë të rëndësishëm të sigurisë publike ndërkombëtare.
Gjatë këtyre takimeve, Proda theksoi vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të thelluar bashkëpunimin dypalësh dhe shumëpalësh në fushat prioritare të sigurisë, përfshirë: Luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit ndërkufitar; Luftën kundër krimit kibernetik; Goditjen e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, me fokus të veçantë rrugët nga Amerika Latine; Kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar; Forcimin e bashkëpunimit në fushën e formimit dhe shkëmbimit të ekspertizës policore; Rritjen e kapaciteteve logjistike dhe profesionale të Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, Proda gjatë takimeve që zhvilloi gjatë ditëve të konferencës me homologët e tij, ka theksuar se fenomenet kriminale globale kërkojnë medoemos një bashkëpunim global për t’i luftuar, duke i siguruar që Policia e Shtetit është e gatshme dhe i ka të gjitha kapacitetet burimore dhe profesionale për të thelluar akoma më tej përfshirjen e saj në skuadra të përbashkëta hetimore dhe operacionale me të gjithë partnerët, për të përmbushur me profesionalizëm detyrimet që burojnë nga misioni në shërbim të qytetarëve dhe ligjit.
Fraksion.com