“Humbësit po përdhosin emrin e shqiptarëve”, Spiropali: Raporti i PE konfirmoi Shqipërinë vend pararojë për anëtarësimin në BE
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali deklaroi sot në një konferencë për shtyp se, Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian miratoi dje raportin për Shqipërinë, i cili analizon situatën dhe progresin tonë në rrugën drejt integrimit evropian për vitet 2023 dhe 2024.
“Raporti i hartuar nga raporteri për Shqipërinë, Andreas Schieder, të cilit i shpreh mirënjohjen për punën serioze dhe rezultative, u miratua me 57 vota pro, 11 kundër, 6 abstenim dhe do t’i paraqitet për votim seancës plenare të PE-së në muajin korrik”, tha Spiropali.
Spiropali shprehu mirënjohje ndaj eurodeputetëve për mbështetjen e qartë të avancimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
“Dje PE konfirmoi edhe njëherë se Shqipëria mbetet një histori suksesi, një vend pararojë për anëtarësimin dhe një shembull në rajon. Raporti nënvizon qartësisht angazhimin e qëndrueshëm të Shqipërisë ndaj reformave kyçe, përfshirë, forcimin e shtetit të së drejtës, funksionimin e institucioneve të drejtësisë të dala nga reformat, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe të pakicave si dhe përparimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, theksoi ajo.
“Eurodeputetët mirëpresin konsensusin e gjerë politik dhe mbështetjen e fortë publike për anëtarësimin në BE, linjëzimin e plotë të vazhduar e besnik të Shqipërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së”, theksoi Spiropali.
“Eurodeputetët vlerësojnë rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, mbështetjen e palëkundur për politikën e jashtme të BE-së dhe përkushtimin dhe menaxhimin e sfidave të përbashkëta si migracioni, siguria kibernetike dhe energjia”, tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se, “ishte shumë e rëndësishme dhe shumë inkurajuese që eurodeputetët mbështeten dhe përshëndetën objektivin e Shqipërisë për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027”.
Spiropali gjithashtu dënoi me forcë ato që i cilësoi si “përpjekjet e atyre që nuk po lënë gjë pa bërë, gur pa lëvizur dhe fjalë të zezë pa thënë për vendin e tyre dhe kjo vetëm e vetëm për t’i bishtnuar përgjegjësisë”.
“E kam fjalën për misionarët që pasi kanë nxirë emrin dhe fytyrën e tyre, pasi kanë shkatërruar gjithçka rreth vetes, janë rikthyer me vrull të paparë për të nxirë dhe prishur edhe emrin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Me hidhësinë e humbësit të keq dhe pandreqësinë që i karakterizon janë sulur me vuxhut të padëgjuar të përdhosin emrin e Shqipërisë dhe të çdo shqiptari brenda e jashtë vendit, të përdhosin reputacionin e tokës tonë të përbashkët me teori komploti, me akuza qesharake dhe absurde, me të pavërteta të shpikura si nevojë e përpjekjes së fundit për mbijetesë politike”, tha kryetarja e Kuvendit.
“Nuk besoj se ka nevojë për lustrime sepse e shohim përditë pelegrinazhin absurd të udhëtimeve me një fletushkë nën sqetull të hartuar në Tiranë, që u shitet shqiptarëve e kësaj apo asaj organizate, që në fakt është veç trakti i fundit kundër Shqipërisë, progresit, imazhit dhe fytyrës së saj. Por mbi tentativa të tilla të dëshpëruara antikombëtare qëndron Shqipëria fisnike e punës dhe e përpjekjeve kombëtare për zhvillim dhe progres”, tha Spiropali më tej.