Arrestohen 3 persona, dy të tjerë në hetim: Shitën bileta për ndeshjen Shqipëri–Serbi me çmime disa herë më të larta
Tre persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, pasi dyshohet se kanë shitur bileta për ndeshjen e futbollit “Shqipëri–Serbi” në rrjetin social Instagram, me çmime disa herë më të larta se ato të përcaktuara nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Pas hetimeve, autoritetet identifikuan dhe ndaluan shtetasit Ledion Metallari, 34 vjeç, Arbi Topi, 23 vjeç dhe Ilir Lokaj, 24 vjeç, të cilët zbulohen se i shisnin biletat me çmime nga 25 mijë deri në 50 mijë lekë të reja. Ndërkohë, shtetasi E. Sh., 25 vjeç dhe një 16-vjeçar janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Të dyshuarit akuzohen për veprat penale “Manipulimi i tregut” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për vijimin e hetimeve.
Fraksion.com