AktualitetTë fundit

Vrasja e Ermir Dedjas në Durrës! Policia: 5 persona të përfshirë në krim, identifikohen bashkëpunëtorët

Policia e Durrësit ka arrestuar 2 persona të tjerë, të përfshirë në vrasjen e 29-vjeçarit Ermir Dedja, duke e çuar në 5 numrin e të arrestuarve për këtë ngjarje. Në pranga kanë përfunduar 36-vjeçari Erion Ndoni dhe 35-vjeçari Klodian Berisha, ndërsa është shpallur në kërkim Xhuljano Dyrmishi, 33-vjeç.

Sipas hetimeve të deritanishme rezulton se Erion Ndoni dhe Klodian Berisha kanë kontrabanduar në Shqipëri, automjetin që u përdor nga autorët e vrasjes dhe një automjet tjetër që dyshohet se do të përdorej për një ngjarje tjetër kriminale. Automjeti tip “Seat” u sekuestrua nga policia, ne cilësine e provës materiale.

Ermir Dedja u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e 20 majit, në lagjen nr. 18 të Durrësit, ndërsa 2 ditë pas ngjarjes, Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim 2 persona, një shqiptar dhe një maroken, të cilët kishin siguruar kushtet dhe mjetet materiale për vrasjen e 29-vjeçarit. Përmes një komunikate zyrtare, Policia e Durrësit sqaron se të 3 personat e shpallur në kërkim rezultojnë se ndodhen jashtë vendit dhe vijon puna në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtare, për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Dy të arrestuarit, Erion Ndoni dhe Klodian Berisha akuzohen për “Kontrabandë me mallra të tjerë”, ndërsa ndaj 36-vjeçarit Berisha rëndon edhe akuza “Sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

 

 

Njoftimi i policisë:

Veprime të thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 29-vjeçarit, në lagjen nr.18, Durrës.

Shkon në 5 numri i shtetasve të identifikuar si të përfshirë në vrasjen e 29-vjeçarit.

-Identifikohen dhe vihen në pranga 2 shtetas që kanë kontrabanduar në Shqipëri, automjetin që u përdor nga autorët e vrasjes dhe një automjet tjetër që dyshohet se do të përdorej për një ngjarje tjetër kriminale. Policia gjen dhe sekuestron automjetin tjetër.

-Shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër, për sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje dhe për kontrabandë të mallrave.

2 ditë pas ngjarjes, Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim 2 shtetas të tjerë, për sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje.

Në vijim të veprimeve të thelluara të kryera nga grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të vrasjes së shtetasit E. D., 2 javë më parë, në lagjen nr.18, në Durrës, bazuar në provat e siguruara nga hetimi:

-u ndaluan shtetasit E. N., 36 vjeç, banues në fshatin Shkallnur dhe K. B., 35 vjeç, banues në Durres, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”;

-u shpall në kërkim shtetasi Xh. D., 33 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.

Nga hetimet rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kane kontrabanduar në Shqipëri, 2 automjete tip “Seat”, njëri prej të cilëve është shitur dhe më pas është përdorur gjatë vrasjes së shtetasit E. D.

Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin në cilësinë e provës materiale, të automjetit tjetër tip “Seat”, i cili ishte kontrabanduar me qëllim për t’u përdorur për një ngjarje tjetër kriminale.

Në kuadër të hetimeve, 2 ditë pas ngjarjes, Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim shtetasin shqiptar E. N., 44 vjeç, banues në fshatin Rrashbull dhe shtetasin maroken M. D., 46 vjeç, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”. Të 3 shtetasit e shpallur në kërkim rezultojnë jashtë vendit. Vijon puna në bashkëpunim me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë veprimet intensive për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

 

Fraksion.com