“Ramës do i ngecë në fyt farsa elektorale”, Berisha flet nga Brukseli: Do zhvillojmë betejë shumëplanëshe, qeveria e Tiranës po tenton të ndryshojë raportin e OSBE-së
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Jashtëm Igli Hasani, duke deklaruar nga Brukseli se ata po përpiqen të ndikojnë në përmbajtjen e raportit të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 11 majit.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Partia Demokratike do të zhvillojë një betejë shumëplanëshe kundër ‘farsës elektorale’ dhe paralajmëroi edhe protesta. Ai shtoi se shqiptarët brenda dhe jashtë vendit janë të vendosur të rrëzojnë regjimin e Tiranës.
Sali Berisha në Bruksel: Edi Rama dhe ministri i Jashtëm kanë ndërhyrë te OSBE ODIHR për të ndryshuar raportin për zgjedhjet. Do të angazhohemi me të gjitha mënyrat, deri edhe protesta, Edi Ramës do i ngecë në fyt farsa elektorale. PD do zhvillojë betejë shumëplanëshe. Çështjen për Shqipërinë, që të jetë vend i njerëzve të lirë, e zgjidhin shqiptarët, forcat ndërkombëtare e damkosin Edi Ramën, shqiptarët e rrëzojnë. Shqiptarët jashtë vendit kanë revoltë ndaj regjimit të Tiranës.
Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha:
Çfarë përpjekjesh ka bërë Rama zoti Berisha?
Edi Rama ka bërë përpjekje shumë të mëdha për të ndryshuar raportin, për të ndryshuar jo vetëm këtu, por për të ndryshuar raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë.
Por sot, përveç këtij miratimi në Komisionin e Jashtëm të raportit për Shqipërinë, dhe me këtë rast shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë deputetët e këtij komisioni, në mënyrë të veçantë kryetarin McAllister, koordinatorin e grupit të PPE, zotin Gahler dhe deputetë të tjerë, me të cilët patëm dje takime intensive dhe paraqitëm rastin si duhet për qëndrimet e tyre, për diskutimet e tyre, për denoncimin publik që ata i bënë në këtë komision regjimit të Edi Ramës dhe zgjedhjeve të tij.
Por sot ne ishim në Asamblenë Politike të PPE se ishte dita e dytë. Edhe sot pati përqendrim përsëri te Shqipëria.
Kërkesa e zonjës Vokshi, që rezoluta e miratuar në Valencia, e cila parashikoi pikë për pikë farsën elektorale të 11 Majit dhe dokumente të tjera për Shqipërinë, të sensibilizojnë më shumë institucionet ndërkombëtare që kryesohen nga personalitete të qendrës së djathtë evropiane dhe qeveritë e qendrës së djathtë të BE, kërkesë që u prit me shumë mbështetje dhe interes nga drejtuesit e PPE, por edhe diskutantët.
Në këtë seancë sot, përsëri eurodeputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të PPE, zoti Gahler, mori fjalën ku mbështeti fuqishëm të gjitha denoncimet e raportit të OSBE/ODIHR dhe në mënyrë të veçantë u ndal në denoncimin e pjesëmarrjes së krimit të organizuar në zgjedhje, bashkëpunimin e politikës me krimin në Shqipëri.
Ndër të tjera unë dua të informoj shqiptarët dhe komunitetin ndërkombëtar se një nga qëllimet e këtij udhëtimi ishte të denoncoja pranë autoriteteve të këtij tempulli, ndërhyrjet banditeske, ndërhyrjet e turpshme në formë presionesh të Edi Ramës dhe ministrit të jashtëm pranë vëzhguesve të OSBE/ODIHR në mënyrë që të mund të ndryshojnë raportin.
Pra, unë them se udhëtimi, qëndrimi dyditor në tempullin e demokracisë evropiane, realizoi qëllimet e tij.
Por unë pata edhe një takim me drejtuesit e PD për Brukselin dhe diskutuam gjerësisht për një plan. Qytetarët europianë do i dalin zot votës së tyre të shkelmuar nga narkoregjimi i Edi Ramës.
Po paralajmëroni protesta në institucionet ndërkombëtare?
Paralajmërojmë të gjitha format e angazhimit të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit për votën e tyre. Edi Ramës do i ngecë në fyt vota e diasporës dhe dhunimi që iu bëri zgjedhjeve.
Fraksion.com