AktualitetBota+Të fundit

Në pritje të takimit Merz-Trump, politika gjermane në ankth si asnjëherë më parë

Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka nisur një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’u takuar për herë të parë me Presidentin amerikan Donald Trump.

Merz pritet të mbërrijë të enjten në Uashington, një vizitë që ka vendosur politikën gjermane në ankth si asnjëherë më parë për një takim transatlantik.

Diskutimet mes Kancelarit gjerman dhe Presidentit amerikan do të fokusohen në çështjen e Ukrainës, Lindjen e Mesme dhe politikat tregtare.

Sipas analistëve, mënyra se si do të shkojë ky takim, përfshirë bisedimet në një grup të vogël, një drekë zyrtare dhe ndoshta më e ndjeshmja, një konferencë për shtyp në Zyrën Ovale, mund të formësojë marrëdhëniet për dekadat në vijim.

Shumë përpara se avioni i Merz të ngrihej nga Berlini të mërkurën në mbrëmje, vëzhguesit politikë po përpiqeshin të lexonin sinjalet për mënyrën se si do të rrjedhë vizita.

Fakti që Merz është i ftuar në Blair House, rezidenca zyrtare për tw ftuarit e qeverisë amerikane, po shihet si një shenjë pozitive.

Po ashtu, pasi dy liderët kanë folur katër herë në telefon që nga fitorja zgjedhore e Merz në Shkurt, kanë shkëmbyer telefonata dhe mesazhe, tashmë janë në marrëdhënie miqësore, duke përdorur emrat e parë Donald dhe Friedrich, diçka që nuk ndodh lehtë për një gjerman. Këshilltarët e qeverisë gjermane e shohin këtë si një sinjal të mirë.

Por Merz e di se rruga drejt një miqësie normale është e vështirë. Marrëdhënia transatlantike ka ndryshuar thellësisht që nga rikthimi i Trump në detyrë.

“Është si një urgjencë mjekësore në terma politike”, thotë gazetarja Mariam Lau.

Berlini e sheh ndërhyrjen e paprecedentë të administratës Trump në politikën e brendshme gjermane, përmes këshilltarëve të tij si Elon Musk, Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe zv/Presidentit JD Vance, si kërcënuese dhe të rrezikshme.

Mungesa e unitetit mbi mënyrën e ndëshkimit të Vladimir Putinit për pushtimin e Ukrainës, tensionet mbi shpenzimet për mbrojtje dhe qëndrimet të ndryshme për Lindjen e Mesme dhe tarifat tregtare, janë vetëm disa nga pikat e ndjeshme.

Lau thotë se Merz do të duhet të “ecë në fije të perit” mes ruajtjes së dialogut me Trumpin dhe kundërshtimit të kapriçove të tij. Prioriteti i tij i menjëhershëm do të jetë siguria që SHBA të mos tërhiqet nga mbështetja për Ukrainën.

Merz pati shijen e parë të bisedës me Trump pak pas marrjes së detyrës. Ai i tregoi një audience në Berlin se gjatë një bisede telefonike 30-minutëshe, ata diskutuan për vende dhe njerëz që i njihnin të dy, pasi Merz kishte punuar në SHBA si avokat.

Pavarësisht tonit pozitiv, të cilin Lau e konsideron politikë më vete, në Berlin askush nuk është i qetë.

Kujtohet ende takimi i vështirë i Volodymyr Zelenskyy tre muaj më parë, apo takimi i fundit i Presidentit të Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa. Thuhet se Merz e telefonoi këtë të fundit të premten për të kërkuar “këshilla për të përballuar Trumpin”.

“Kancelaria e ka kuptuar prej kohësh që gjëja më e parashikueshme për Trumpin është e papritura, dhe vizita në Zyrën Ovale është konsideruar një pikë me rrezik të mbetur”, thotë Henrike Rossbach nga Süddeutsche Zeitung.

Pritja që Merz do të marrë mund të varet nga humori i ditës së Trumpit, një faktor jo i lehtë për një mendje tipike gjermane, që preferon rregullin.

Por Merz thuhet se është përgatitur për një sërë skenarësh dhe është “armatosur”.

Nëse Trump e shtyn për shpenzimet ushtarake, Merz do të prezantojë planin e tij për të rritur buxhetin e mbrojtjes në 3.5% të PBB-së, plus një shtesë prej 1.5% për infrastrukturë të rëndësishme për mbrojtjen.

“Por ndoshta, për ta bërë të thjeshtë për Trumpin, mund ta rrumbullakosë në 5%,”tha analisti i Frankfurter Allgemeine, Matthias Wyssuwa.

Ky pozicionim do të jetë kritik përpara samitit të G7 në Kanada në mesin e Qershorit dhe samitit të NATO-s në Hagë një javë më vonë, ku Trump pritet të marrë pjesë.

Merz gjithashtu do të theksojë politikat më të rrepta të qeverisë së tij për emigracionin, një temë ku Trump ka kritikuar ashpër Angela Merkelin në të kaluarën.

Sa i përket tarifave, përfshirë një të re prej 50% për aluminin dhe çelikun të shpallur të martën nga Trump, Kancelari Merz ka deklaruar se SHBA duhet të kujtojë se ka të bëjë me një treg prej 500 milionë konsumatorësh kur bën tregti me Bashkimin Europian.

Merz është i vetëdijshëm se, në komunikim me Trump, shkurtësia, shmangia e ndërprerjeve, lavdërimet dhe theksimi i pikave të përbashkëta janë mënyra më efektive për të ndërtuar marrëdhënie.

Një tjetër temë që mund të ndihmojë është prejardhja gjermane e Trumpit. Thuhet se ishte vetë Trump ai që e përmendi gjatë një bisede, megjithëse deri në vitet ’80 kishte përpjekje për ta fshehur atë.

Gjyshi i tij, Friedrich, e kishte ndërruar emrin në Frederick pas emigrimit në SHBA në vitin 1869.

Merz ka biseduar me Trumpin për mundësinë e një vizite në fshatin e tij të origjinës, Kallstadt. Por një vizitë e tillë duhet trajtuar me kujdes, pasi banorët vendas nuk janë entuziastë për ta mirëpritur Trumpin, e aq më pak për t’i ngritur një monument.

Fatmirësisht, Merz e njeh rajonin, pasi ka shërbyer aty gjatë ushtrisë në vitet ’70.

Por një temë që ndoshta do të shmangë është fakti se gjyshi i Trumpit u dëbua nga Gjermania për shkak të shmangies së shërbimit ushtarak të detyrueshëm.


Fraksion.com