Modernizimi i rezidencave qeveritare, “Hospitality Albania” nis garën për përzgjedhjen e projekteve më të mira
“Hospitality Albania” është projekti i investimit, i cili synon ripërdorimin dhe modernizimin e rezidencave qeveritare, të cilat aktualisht janë struktura të amortizuara me përdorim sporadik dhe kërkesa të larta për mirëmbajtje, duke i kthyer ato në destinacione ekskluzive dhe tërheqëse për turizmin elitar dhe pritjen e personaliteteve të rëndësishme.
Në një event të posaçëm të organizuar sot me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, 7 finalistët e fazës II, përfaqësues të studiove prestigjioze arkitekturore, po prezantojnë përpara një jurie ndërkombëtare projekt-idetë e tyre.
Kjo nismë synon të çlirojë dhe të maksimizojë potencialin e këtyre aseteve të veçanta, duke i integruar në tregun fitimprurës global të turizmit, një sektor kyç për të ardhmen e zhvillimit të Shqipërisë.
Projekti do të luajë një rol të rëndësishëm në rigjallërimin ekonomik dhe turistik të këtyre zonave, duke i kthyer këto prona në qendra tërheqëse që reflektojnë harmoninë mes inovacionit dhe peizazhit unik natyror.
Përmes kësaj nisme, synohet krijimi i një precedenti për zhvillimin e qëndrueshëm dhe efikas të pronave shtetërore, duke kombinuar arkitekturën bashkëkohore dhe teknologjitë më të avancuara me një vizion të integruar për luksin, mikpritjen dhe qëndrueshmërinë.
Procedura konkurruese ndërkombëtare për realizimin e projektit të investimit “Hospitality Albania“ zhvillohet nëpërmjet dy fazave: faza e kualifikimit dhe faza e përzgjedhjes.
Fraksion.com