AktualitetKosovaTë fundit

SHBA: Kosovari Lirim Sylejmani dënohet me burg për bashkim me IS-in

Lirim Sylejmani, 49 vjeç, i lindur në Kosovë dhe me shtetësi amerikane, është dënuar me 10 vjet burg nga një gjykatë federale në Uashington për pjesëmarrje në trajnim ushtarak me organizatën terroriste grupi militant (IS) dhe për përfshirje në të paktën një përballje të armatosur kundër forcave të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të.

Sylejmani, i njohur edhe me emrin Abu Sulayman al-Kosovi, kishte pranuar fajësinë në dhjetor të vitit 2024 për marrje të trajnimit ushtarak nga një organizatë e shpallur si terroriste.

Përveç dënimit me burg, gjyqtari federal urdhëroi që ai të qëndrojë gjatë gjithë jetës nën mbikëqyrje pas lirimit.

Sipas dokumenteve të gjykatës, Sylejmani kishte udhëtuar në Siri në nëntor të vitit 2015 së bashku me familjen e tij për t’iu bashkuar IS-it.

Pas mbërritjes, ai kreu trajnime ushtarake për 21 ditë dhe më pas iu bashkua një njësie luftarake në Mosul, Irak, ku mori armë dhe pajisje luftarake, përfshirë pushkën automatike AK-47 dhe granata.

Ai gjithashtu dha besën e besnikërisë ndaj liderit të atëhershëm të IS-it, Abu Bakr al-Baghdadi.

Në maj të vitit 2016, Sylejmani u dërgua në vijën e parë të frontit ku u plagos nga copëzat e një shpërthimi.

Pas shërimit, ai u transferua në një njësi tjetër dhe vazhdoi të shërbente për IS-in, duke marrë edhe pagesa për aktivitetin e tij.

Në vitin 2019, teksa IS-i po humbiste territor, ai u zhvendos me familjen në Baghouz të Sirisë.

Sylejmani u kap më 27 shkurt 2019 nga Forcat Demokratike Siriane dhe u mbajt në burgun Dashisha.

Në shtator 2020, ai iu dorëzua autoriteteve amerikane dhe u dërguar në SHBA për tu përballuar me drejtësinë.

“Ky person do ta kalojë një dekadë në burg duke reflektuar për tradhtinë ndaj vendit të tij”, tha prokurorja amerikane, Jeanine Pirro.

Rasti u hetua nga Forca e Përbashkët Kundër Terrorizmit e FBI-së dhe u ndoq penalisht nga prokurorët e sektorit për siguri kombëtare të Departamentit të Drejtësisë./REL

 

Fraksion.com