AktualitetRajoniTë fundit

Qeveria serbe nuk po i përfill kërkesat për media të lira

Media e lirë dhe sundimi i ligjit, këto janë kërkesat që bashkojnë studentët dhe BE. Por si po vepron qeveria serbe?

Strika thotë se pas vitesh përballjeje me kërcënime verbale, ai është sulmuar edhe fizikisht për herë të parë ndërsa raportonte. Ai po filmonte mbështetësit e SNS-së që po mblidheshin për një tubim në Beograd, kur u bë dëshmitar i një sulmi brutal ndaj një kalimtari që u përpoq të fotografonte tubimin.

“Tre burra e rrëzuan përtokë, filluan ta rrihnin, i morën telefonin dhe e hodhën në Danub”, thotë Strika.

Shtimi i numrit të sulmeve

Në Serbi janë regjistruar që nga fillimi i vitit 128 raste sulmesh dhe presionesh ndaj gazetarëve, ndërsa gjatë gjithë vitit të kaluar kishte 166 sulme, sipas të dhënave të Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë(NUNS).

“Sulmet fizike janë rritur dhe ajo që është shqetësuese është se sulmet fizike dhe ngacmimet e gazetarëve po ndodhin në prani të policisë. Gazetarët etiketohen si dikush që provokon sulme vetëm sepse po bën punën e tij dhe policia nuk reagon ndaj tyre”, shpjegon për DW sekretarja e NUNS, Tamara Filipoviq Stevanoviq.

Problemi më i madh, shton ajo, është se askush nuk mbahet përgjegjës për sulmet, rastet nuk marrin një epilog ligjor, kështu që sulmet vazhdojnë.

Përveç kësaj, gazetarët shpesh janë nën vëzhgim. Amnesty International raportoi se autoritetet në Serbi kanë monitoruar në mënyrë të paligjshme telefonat e gazetarëve dhe aktivistëve. Njëri prej tyre është një gazetar nga Dimitrovgradi, Slavisha Milanov. Ai shpjegoi se policia instaloi softuer për spiunim tek ai, pa urdhër nga zyra e prokurorit.

“A jemi kriminelë që ky softuer po përdoret tek ne?” i tha ai N1. “Çfarëdo që të na ndodhë neve ose dikujt në mjedisin tim, unë do ta mbaj shtetin përgjegjës për këtë.”

Milionat evropiane përshpejtojnë reformat

Siguria e gazetarëve është vetëm një nga pikat kritike që organizatat ndërkombëtare dhe lokale që monitorojnë gjendjen e lirisë së medias në Serbi kanë theksuar për vite me radhë. Kërkesat për media të lira kanë qenë pjesë e të gjitha protestave të mëdha civile në dhjetë vitet e fundit.

Bashkimi Evropian ka të njëjtat kërkesa në procesin e integrimit evropian. Agjenda e reformave, e cila përmban një plan konkret reformash që Serbia duhet të përmbushë deri në vitin 2027, rendit si një nga hapat e parë ndryshimin e ligjeve të medias dhe zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Organit Rregullator për Median Elektronike. Meqenëse Serbia nuk arriti ta përmbushë këtë, BE shtyu pagesën e 111 milionë eurove ndihmë.

Më pas u nis një proces i ri për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit REM. Projektligjet për median iu dorëzuan grupeve të punës. Por akoma nuk ka ndonjë zjigdhje.

Hakmarrje ndaj medias së pavarur

NUNS kërkon nga bashkësia ndërkombëtare që të marrë pjesë në një dialog me shtetin. “Edhe nëse diçka ndryshon me ligj, nuk ka garanci se nuk do të abuzohet”, thotë Filipoviq Stevanoviq. “Ajo që ndodhi këtë vit ishte një hakmarrje e shtetit ndaj medias që raportoi profesionalisht për gjithçka që ndodhi në Novi Sad dhe Serbi që nga 1 nëntori”, thotë Zoran Strika. Ata kritikojnë edhe shpërndarjen e parave për mediat dhe besojnë se do të ketë manipulime edhe në të ardhmen.

“Reformat duhet të jenë të mirëfillta, jo vetëm të shënohen në letër”, tha Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Kaja Kallas gjatë një vizite të kohëve të fundit në Serbi./DW

 

Fraksion.com