“Defender Europe ’25”, kthim në rrënjët shqiptare për kapitenen e Forcës Kombëtare të Nju-Xhersit
Stërvitja shumëkombëshe “Defender Europe ’25”, një nga stërvitjet më të mëdha dhe më komplekse të dekadës së fundit në Evropë dhe Afrikë nisi disa ditë më parë nga Shqipëria.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka ndarë sot historinë e kapitenes Hatixhe Çollaku, me uniformë amerikane, por me prejardhje shqiptare duke e konsideruar një krenari të dyfishtë.
Ministri Vengu u shpreh se kapitene Çollaku ndan “përvojën e saj frymëzuese gjatë Defender Europe ’25, ku bashkëpunimi me Forcat e Armatosura të Shqipërisë është për të jo vetëm mision, por edhe kthim në rrënjë”.
Nga ana e saj, kapitene Çollaku shprehet se është pjesë e Forcave Kombëtare të New Jerseyt në Amerikë, por është me origjinë nga Peshkopia.
“Kam ikur në Amerikë në vitin 1999 me familjen me lotari. Familja nuk donte që të harroja as kulturën, as gjuhën dhe jemi kthyer çdo verë për pushime këtu. Por, pasi u futa në ushtrinë amerikane kam ardhur edhe me misione në Shqipëri. Kam pasur babanë në ushtri në Shqipëri dhe më ka pas pëlqyer gjithmonë ushtria. Pasi nisa universitetin, ushtria më dha një mundësi që të paguaja shkollën katër vite dhe kur u bëra oficere qëndrova sepse më pëlqeu shumë mundësia që të falënderoja shtetin ku jetoj, por edhe vendin ku kam lindur. Pra, jam e lidhur nga të dyja anët”, thotë Çollaku.
Misioni “Defender ’25” e ka sjellë në Shqipëri për të bashkëpunuar me trupat shqiptare, ku kapitene Çollaku është e angazhuar në pjesën e inteligjencës. “Fakti që më pëlqen të punoj me ushtrinë shqiptare është një ushtrim multinacional, pasi ka ushtri në çdo lloj vendi të Ballkanit, Evropës dhe kur janë këto mundësi jashtë shtetit, për mua është diçka e mirë”, vijoi ajo.
E drejtuar nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara (USEUCOM) dhe e zhvilluar në bashkëpunim me vendet aleate të NATO-s dhe partnerët strategjikë, stërvitja do të zgjasë deri më 9 qershor 2025.
Fraksion.com