Arrestime me letër-porosi nga Finlanda! Dumani: Goditëm disa grupe kriminale të trafikut të drogës. Çfarë zbuluan hetimet
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet finlandeze zhvilluan një operacion të përbashkët kundër disa grupeve kriminale që trafikonin lëndë narkotike.
Prokurori i SPAK, Arben Kraja tha se hetimi ka nisur që nga qershori i vitit 2023. Kraja tha se janë përdorur metoda speciale të hetimit.
“Hetimi ka filluar mbi bazën e informacioneve të ardhura nga autoritete finlandeze. Në qershor të 2023 është regjistruar procedimi penal, u ra dakord të krijonim një skuadër të përbashkët hetimore, që u finalizua shumë shpejt, brenda 2-3 muajve, pastaj dy vjet rresht punë dhe takime të përbashkëta dhe kemi ardhur sot që kemi këtë rezultat. Nga ky hetim kemi nxjerrë disa tipologji problematikash që tregojnë shtrirjen dhe shpërndarjen e aktivitetit kriminal të shqiptarëve jashtë territorit tonë. Përfshirë nga Shqipëria drejt Finlandës, nga Spanja drejt Finlandës. Kemi përdorur metoda speciale të hetimit, gjatë gjithë periudhës dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe dakordësinë me veprimet që do kryejmë hap pas hapi”, tha Kraja.
Prokurori i Posaçëm Alfred Shehu tha se “shkëmbimi i informacionit nga autoritetet finlandeze ka qenë pa ndërprerje”. Shehu tha se në Shqipëri janë arrestuar 9 persona dhe 2 të tjerë janë në kërkim.
“Në përfundim të këtyre veprimeve, u arrit edhe përcaktimi i ditës së aksionit se kur do të bëhej goditja, në marrëveshje me përfaqësuesit e autoriteteve finlandeze. Nga ana e SPAK, gjatë majit është dërguar kërkesa për caktim mase sigurimi për 11 persona. Nga GJKKO u vendos sot në dakordësi edhe të autoriteteve finlandeze pasi në këtë aksion kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të policisë finlandeze. Si rezultat i veprimeve të shpejta, u bë e mundur zbatimi i masës së sigurimit deri më tani i 9 personave. Po vazhdon puna për të bërë të mundur edhe arrestimin e dy personave të tjerë. Gjatë zbatimit të masave të sigurimit, janë sekuestruar disa automjete, konkretisht 8 telefona celularë, dhe shumë dokumenteve, ku një pjesë konsiderohen me vlerë për hetimin pasi janë në gjuhën finlandeze dhe ka të dhëna me aktivitetin kriminal të personave. Do të vazhdojmë edhe hetimin pasuror për personat e identifikuar”, tha Shehu.
Shehu dha detaje dhe në lidhje me përbërjen e grupeve kriminale. Sipas Shehut, karakteristike ka qenë bashkëpunimi i tyre me njëri-tjetrin për realizmin e qëllimeve të tyre kriminale.
“Dy nga grupet organizonin trafik nga Shqipëria drejt Spanjës, Holandës dhe Finlandës. Më pas atje kishin rrjetin e shpërndarjes. Një grup tjetër kriminal i drejtuar po nga shtetas shqiptar vepronte vetëm në Finlandë me sigurimin e lëndëve narkotike, blerjen dhe shitjen në Finlandë. Një grup tjetër i drejtuar nga shqiptarë, kishte si detyrë të tij dhe qëllim organizmin e trafikut të marijuanës nga Spanja në drejtim të Finlandës përmes shërbimit postar. Krerët e grupeve një pjesë kanë qenë më parë të ndjekur penalisht në Finlandë, dhe nuk kanë qenë të evidentuar në Shqipëri. Pas kthimit në Shqipëri, kanë drejtuar aktivitetin nga Shqipëria ose shtete të tjera të BE. Kjo ka qenë edhe një nga rezultatet e hetimit të përbashkët, nga informacionet e përfituara në kohë reale i transmetoheshin autoriteteve finlandeze. Dy nga krerët e grupeve kriminale janë me origjinë nga Vlora. Pjesa tjetër vepronin në zonën e Kuçovës dhe Beratit. Një pjesë e tyre janë të vendosur me banim në Tiranë”, tha Shehu.
Sipas tij, këta shtetas nuk kishin ndonjë aktivitet të ligjshëm që t’i ekspozonte ndaj kontrollit të institucioneve. Ata lëviznin lirshëm, brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke mbajtur një profil të ulët për të shmangur hetimin.
“Ata kanë qenë qytetarë të lirë. Hetimet tona kanë qenë të fshehura, por pjesa më e madhe e tyre lëviznin edhe jashtë shtetit. Realisht në Shqipëri të gjithë krerët e këtyre grupeve konsideroheshin si persona që bënin një jetë normale,” theksoi prokurori.
Drejtuesi i SPAK Altin Dumani theksoi se “në hetimet tona është hera e parë që shikojmë grupe kriminale që kanë në fokus edhe droga sintetike, të paktën nga hetimet e deritanishme është hera e parë që shikojmë grupe kriminale që kanë në fokus të tyre edhe droga sintetike”.
“Ky grup kriminal kishte një rrjet të tyre në Finlandë dhe në mënyrë periodike herë pas herë dërgonin nga Shqipëria përfaqësues të tyre që shkonin në bazat e përcaktuara dhe fillonin shitjen e lëndës narkotike”, tha Dumani.
Ndërsa komisari i Finlandës u shpreh se personat komunikonin me njëri tjetrin me platformat “Telegram” dhe “Signal”, ndërsa theksoi se mënyra e transferimit të parave është në proces hetimi.
Fraksiom.com

