AktualitetPolitikëTë fundit

Spiropali në Forumin Ndërkombëtar për Paqen e Sigurinë në Kosovë: Gratë, forcë transformuese për paqen dhe sigurinë në rajon

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, mori pjesë në Forumin e 3-të Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të mbajtur në Prishtinë.

Në një fjalim frymëzues, Spiropali theksoi rolin thelbësor të grave në ndërtimin e paqes, forcimin e sigurisë dhe zhvillimin demokratik.

Fjala e Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali, në Forumin e 3-të Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

 

Presidente Osmani, e dashur Vjosa,

 

Të nderuar miq,

Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë e veçantë dhe një ndjenjë të thellë misioni të jem sot këtu me ju, në këtë takim të rëndësishëm ndërkombëtar, kushtuar një prej çështjeve më përcaktuese të ditëve tona: rolit qendror të grave për paqen, sigurinë dhe zhvillimin demokratik.

Më lejoni së pari të falenderoj Republikën e Kosovës për organzimin e këtij forumi me aq vizion e angazhim dhe ti shpreh mirënjohjen time të përzemërt Presidentes Osmani për ftesën, por dhe për lidershipin e saj frymëzues në nisjen dhe zhvillimin e kësaj nisme kaq të rëndësishme.

Ky forum, tashmë në edicionin e tij të tretë, është më shumë se një takim. Është një nismë e guximshme, e udhëhequr nga arsyetimi që përfshirja e grave nuk është një element opsional i zhvillimit dhe paqes; por është vetë themeli i tyre.

Ne e njohim këtë arritje me admirim dhe jemi të gatshëm të vijojmë ta mbështesim në çdo hap të rrugës.

Nuk është rastësi që ky Forum po mbahet në zemër të Evropës, në një vend ku plagët dhe traumat e luftës, tragjeditë njerëzore, personale e familjare që kanë përjetuar gratë, vajzat dhe fëmijët e pafajshëm të Kosovës, janë ende shumë të gjalla.

Nuk janë harruar, e si mund të harroheshin?

Në rajonin tonë ne të gjithë e dimë fare mirë çmimin e tmerrshëm të konflikteve, dhe pikërisht për këtë edhe fuqinë e madhe të pajtimit.

Megjithatë, ekziston një e vërtetë e hidhur: gratë dhe fëmijët janë ata që paguajnë gjithmonë çmimin e rëndë të luftërave dhe konflikteve.

Por ne gjithashtu e dimë që gratë, kur i është dhënë mundësia, e për më tepër kur janë fuqizuar, kanë qenë faktor ndryshimi, arkitekte të paqes dhe kompasi moral i shoqërive tona.

Prandaj Kosova, me mençurinë e saj, pavarësisht mizorive të tmerrshme që ka kryer regjimi i Millosheviqit, nuk ra kurrë në grackën e hakmarrjes;

Përkundrazi, punoi pa u lodhur për ta kthyer dhimbjen në forcë, punoi për ti dhënë fund luftrave dhe për të shmangur konfliktet, investoi tek liria dhe sovraniteti i kombeve dhe popujve.

Realiteti i sotëm, ky forum, flasin vetë. Ata përkthejnë dhe pasqyrojnë dëshirën e madhe të Kosovës, ndjenjën e thellë të humanizmit, angazhimin e saj për paqen, për fuqizimin e grave në çdo fushë të jetës, përfshi rolin e tyre si paqebërëse dhe siguri garantuese.

Në këtë kontekst, më lejoni të kujtoj, jo pa krenari, kontributin e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, në periudhën 2022-2023. Shqipëria, një vend i vogël me ambicie të arsyeshme, por me një zë të fuqishëm për paqe, e bëri prioritet parësor vendosjen e Grave, Paqes dhe Sigurisë në qendër të agjendës gjatë mandatit të saj.

Kemi punuar papushim për të nxitur zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara dhe të rezolutave të mëpasshme, e cila këtë vit shënoi 25 vjetorin e saj. Kemi avokuar për integrimin e zërit të grave në parandalimin e konflikteve, negociatat e paqes dhe rindërtimin pas konflikteve.

Dhe riafirmuam nga skena botërore se barazia gjinore nuk është një çështje dytësore. Ajo është themelore për paqen dhe sigurinë botërore.

Dëshiroj të theksoj se gjatë Presidencës Shqiptare të Këshillit të Sigurisë, Shqipëria e kishte prioritet që zërat e Kosovës të ishin të pranishëm dhe të dëgjoheshin.

Patëm nderin të kishim të pranishme qytetaren e parë të Kosovës, Ju, Zonja Presidente Osmani, në një seancë të Këshillit në Formulën Arria, që ne organizuam me Shtetet e Bashkuara, për të mbajtur një fjalim kryesor pikërisht për këtë çështje, nga posti i lartë i Presidentes, dhe ku shfaqeshin ngjyrat e Republikës së Kosovës.

Kjo ndodhi në një vend ku thjesht përdorimi i fjalës “Kosova” mbetet ende një çështje e mosmarrëveshjeve të pafundme dhe negociatave të mundimshme. Ishim të lumtur ta bënim këtë për Republikën e Kosovës, por gjithashtu për të fuqizuar zërat e atyre që shpesh janë të heshtur.

Dhe më lejoni të jem e qartë: angazhimi ynë nuk përfundoi me mandatin tonë në Këshillin e Sigurimit. Shqipëria vazhdon të forcojë zbatimin në nivel kombëtar të agjendës ËPS (Gratë, Paqja dhe Siguria), edhe përmes Planit Tonë Kombëtar të Veprimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili tashmë është në fazën e tij të dytë.

Ne po investojmë në arsim, në mundësi ekonomike, në trajnim liderësh—sepse siguria nuk ka të bëjë vetëm me kufinjtë. Ajo ka të bëjë me dinjitetin, mundësitë dhe drejtësinë në çdo shtëpi dhe në çdo fshat.

Fokusi ynë i veçantë përfshin:

– Forcimin e pjesëmarrjes së grave në institucionet e sigurisë dhe në diplomaci;

– Shtrirjen e shërbimeve mbështetëse për të mbijetuarat e dhunës gjinore;

– Promovimin e edukimit të paqes dhe zhvillimit të lidershipit për gratë dhe vajzat e reja;

– Përputhjen e politikës së brendshme me angazhimet tona ndërkombëtare sipas Rezolutës 1325.

Kuvendi i Shqipërisë, edhe gjatë mandatit tim modest, ka luajtur një rol thelbësor në këtë rrugëtim. Komisionet tona parlamentare për barazinë gjinore dhe punët e jashtme kanë punuar përtej kufinjve partiakë për të inkorporuar agjendën ËPS në proceset tona legjislative.

Ne besojmë se vetëm ligjet nuk janë të mjaftueshme-duhet të sigurojmë llogaridhënie, financim dhe veprim.

Të dashur miq,

Dikush mund të tundohet për të pyetur; përse të përfshijmë gratë në ato fusha të cilat historia zakonisht dhe më së shumti ia ka rezervuar burrave.

Përgjigja është e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë: Pikërisht sepse e njëjta histori dhe mençuri e përbashkët kanë provuar se gratë, me fuqinë dhe aftësinë e tyre të butë kanë shfaqur potencialin dhe aftësitë për të afruar kulturat dhe shoqëritë, për të ngritur ura aty ku ka dallime dhe për të inkorporuar vlerat e reja politike dhe për ti përdorur këto vlera për të emancipuar jetën shoqërore, institucionet politike dhe marrëdhëniet mes shteteve. Kushdo që deri tani nuk e ka kuptuar se roli i grave po bëhet aq i rëndësishëm në çdo fushë të jetës, nuk e kupton dëmin e parikuperueshëm që e kundërta i shkakton vetë strukturës sociale të çdo shoqërie. Në çdo demokraci dhe shoqëri të lirë, gratë e kanë treguar veten si një forcë e madhe transformuese. Ne në Shqipëri e kemi kuptuar këtë plotësisht dhe kjo reflektohet në çdo institucion, në qeverisjen qendrore dhe vendore dhe në administratën publike.

Shqipëria është sot kampione në mjaft tregues kryesorë për arritjen e barazisë gjinore, sidomos në jetën politike, qeverisëse e parlamentare.

Unë mund të them me bindje se, për ne, një pjesë e suksesit në përshpejtimin e zhvillimit, demokratizimit dhe integrimit evropian të vendit mund të shpjegohet me rritjen e pjesëmarrjes dhe kontributit të grave.

Zgjedhjet e fundit parlamentare rikonfirmuan orientimin e pakthyeshëm pro-evropian që shqiptarët kanë zgjedhur.  Ndër të tjera, këto zgjedhje shënuan një pjesëmarrje të gjerë të grave, të cilat u bënë një komponent konkurrues dhe përcaktues.  Ne ia arritëm të ruajmë përfaqësimin e grave në Kuvendin e Shqipërisë në të njëjtin nivel që e kishim: 50 gra nga 140 deputetë, ose rreth 36 përqind e trupës parlamentare.  Qeveria shqiptare është 50 me 50, dhe në një mandat të kësaj shumice ne ishim nr. 1 në Kartën e Kombeve të Bashkuara me 70% gra në qeveri, dhe me një përfaqësim të lartë në të gjitha nivelet e larta të ekzekutivit.

E di që mund të bëjmë më shumë edhe në të gjitha nivelet e shoqërisë, për të luftuar diskriminimin, dhunën gjinore dhe përjashtimin.

Ne gjithashtu mund të argumentojmë me sukses rolin e jashtëzakonshëm në shoqëri të grave në të gjithë rajonin tonë, ku zhvillimi, bashkëpunimi, demokracia, paqja dhe siguria vazhdojnë të jenë të brishta, ndonjëherë edhe të kërcënuara, si nga demonët e së kaluarës, ashtu edhe nga inercitë e së tashmes, por edhe nga lëvizjet e reja anti-demokratike dhe anti-perëndimore.

Pikërisht për këtë arsye duhet të jemi dhe të mbetemi vigjilentë: që gratë të ushtrojnë plotësisht rolin e tyre dhe të marrin përgjegjësitë e tyre në transformimin e shoqërive, është thelbësore që ato të jenë të lira, të fuqizuara, të mbrojtura nga diskriminimi, përfshirë format e ndryshme të dhunës gjinore.

Kjo nuk është thjesht një kauzë e grave për gratë, por një çështje e shoqërisë në tërësi. Prandaj, ka një kuptim të veçantë që mesazhet kyçe për gratë, paqen dhe sigurinë të jepen nga Kosova dhe Prishtina, ku pasojat e luftës janë ende të pranishme dhe plagët e së kaluarës nuk janë shëruar plotësisht.

Njohja e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, rritja e pjesëmarrjes politike të grave, dhe prania në rritje e grave në sektorët e sigurisë dhe drejtësisë, të gjitha këto përbëjnë progres të vërtetë.

Ato gjithashtu pasqyrojnë një vizion strategjik, një vizion i udhëhequr nga gra dhe burra të cilët besojnë në fuqinë transformuese të përfshirjes.

Rrugëtimi i grave të Kosovës, nga trashëgimia e dhimbshme e konfliktit në pozita udhëheqëse, nuk është vetëm një histori suksesi kombëtar. Ky rrugëtim është një shembull për të gjitha shoqëritë e dala nga konfliktet në mbarë botën.

Përzgjedhja e Kosovës nga Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara si i vetmi vend evropian dhe një nga tre vendet e globit për hapjen e Qendrës së Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, është një dëshmi e qartë e këtij angazhimi. Mos të harrojmë gratë kudo në botë, edhe gratë e Ukrainës, të cilat kanë të njëjtën thirrje.

Kam pasur kënaqësinë, përpara disa kohësh, që disa përfaqësuese të tyre të flisnin për vuajtjet dhe dhimbjen, dhe të drejtonin thirrjen e tyre për veprim dhe paqe nga Kuvendi i Shqipërisë.

Të dashur miq,

Më lejoni ta mbyll duke kujtuar frymën e këtij Forumi – një angazhim kolektiv i të gjithë atyre që besojnë tek paqja përmes barazisë.

Të mos harrojmë që çdo fjalim që mbajmë, çdo rezolutë që miratojmë dhe çdo premtim që japim duhet përkthyer në përmirësime të prekshme në jetën e grave: në Prishtinë dhe Tiranë, në Mitrovicë dhe Gjakovë, kudo, në këtë rajon dhe përtej.

Le të punojmë për të garantuar që asnjë grua të mos ndjehet që zëri i saj është shumë i vogël, që përvoja e saj është e padukshme, apo që lidershipi i saj është i panjohur.

Le ta bëjmë këtë Forum jo një vend ku thjeshtë diskutohet-por një katalizator të transformimit.

Shqipëria, Parlamenti i saj dhe institucionet e tjera, gratë dhe e gjithë shoqëria janë të gatshme të vijojnë të bëjnë pjesën e tyre, në partneritet të fortë me Kosovën, me të gjithë miqtë dhe aleatët tanë, dhe këdo që beson tek paqja dhe siguria përmes respektit dhe barazisë.

Le të angazhohemi për ta mbajtur premtimin tonë të qëndrueshëm për një të ardhme ku gratë jo vetëm ndodhen në tryezë, por dhe dëgjohen teksa janë në krye të saj.

 

Fraksion.com