AktualitetTë fundit

Shorti në GJKKO, gjyqtarja Elsa Ulliri do të gjykojë dosjen “Partizani”

Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Elsa Ulliri, do të jetë kryesuese e trupës gjykuese për shqyrtimin e dosjes së ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në të cilën ish-kryeministri Sali Berisha, akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Shorti për përzgjedhjen e trupës u zhvillua sot në GJKKO, ndërsa gjyqtarët Bib Ndreca dhe Rudina Palloj sipas medieve pritet të jenë dy anëtarët e tjerë të trupës gjykuese.

Në dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani” nën akuzë është edhe dhëndri Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet për kryerjen e veprave “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Të njëjtat akuza janë edhe për biznesmenin Fatmir Bektashi, ndërsa Xhimi Begeja e Andia Pustina akuzohen për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Në gjykim do të jenë edhe shoqëritë tregtare të përfshira në aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

SPAK e akuzon Berishën se, gjatë kohës që ishte kryeministër, ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Sipas SPAK, ky privatizim është bërë në mënyrë të parregullt dhe me ndikim të paligjshëm nga Berisha, duke sjellë përfitime të padrejta për Malltezin dhe dëm ekonomik për shtetin. Berisha i ka cilësuar akuzat si politike.

 

Fraksion.com