AktualitetTë fundit

Prokuroria e Tiranës sekuestron pasuritë e një të dënuari në Angli për prodhim droge

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasuritë e shtetasit A.Ll. i dënuar në Angli për veprën penale “Prodhim, shitje të lëndëve narkotike”.

Prokuroria njoftoi se “në kuadër të hetimeve mbi procedimin pasuror rezultoi se shtetasi A.Ll është dënuar në Angli për veprën penale “Prodhim, shitje të lëndëve narkotike” dhe pasuritë e tij nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike e dyshohet se lidhen e rrjedhin nga veprimtaria kriminale”.

“Shtetasi B.Ll. (babai i subjektit) ka në pronësi pasuri truall me sipërfaqe prej rreth 275.2 m2 dhe një godinë 2 kateshe + bodrum + papafingo të regjistruar më datë 24.03.2021. Ndërsa vëllai i tij një aktivitet privat me fushë të veprimtarisë riparim automjetesh, tregti me pakicë te pjesëve të përdorura dhe te reja, import, shitje dhe blerje makinash”, njoftoi prokuroria.

Sipas Prokurorisë së Tiranës “nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar për sa i përket pasurisë së luajtshme të shtetasit A.Ll., rezulton se ka një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se kjo pasuri është fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale në aktivitetin e prodhim dhe shitje narkotikësh”.

Për këtë arsye, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi sekuestrimin e pasurive të mëposhtme që rezultojnë të regjistruara në emër të personave të lidhur me subjektin:

Pasuria e paluajshtme me nr. 416/118, me sip totale 403.1 m2 “Truall” dhe 275.2 m2 ndërtesë, ½ pjesë; 2 automjete të tipit Opel Corsa dhe Geep Grand Cherokke;

Aktivitetin tregtar me fushë të veprimtarisë riparim automjetesh, tregti me pakicë të pjesëve të përdorura dhe të reja, import, shitje dhe blerje makinash me emrin tregtar Auto Lleshi, NUIS L52116150G.

 

Fraksion.com