Çuko: Po ndërhyhet edhe nga ajri për shuarjen e flakëve në Darëzezë
Prefekti i Qarkut të Fierit, Arben Çuko, ka ndjekur nga afër punën e zjarrfikësve për shuarjen e zjarrit në pyjet e Darëzezës, teksa në operacionin për shuarjen e flakëve është angazhuar dhe helikopteri “Cougar”.
Në një prononcim për mediet, Çuko tha se terreni ranor e ka vështirësuar punën e mjeteve të zjarrfikësve, kësisoj u kërkua ndihmë tek Ministria e Mbrojtjes, që vuri menjëherë në dispozicion helikopterin “Cougar”, i cili po kontribuon nga ajri për shuarjen e flakëve.
Ai thekson se era është një faktor tjetër që ka vështirësuar shuarjen e flakëve
“Dëmet nuk janë vlerësuar sa i takon sipërfaqes. Unë këtu do doja të kisha dhe komandantin e zjarrfikësve të Fierit dhe zjarrfikëseve të tjera që erdhën në ndihmë të shuarjes së zjarrit. Fati i mirë ishte që dje s’kishte erë dhe me ndërhyrjen e fuqishme të zjarrfikësve u neutralizua zjarri.
“Sot nga kushtet e vështira të erës, zjarrfikëset në terren ranor nuk përparonin dot dhe kështu kërkuam ndihmën e Forcave Ajrore nga Ministria e Mbrojtjes, që u përgjigj në mënyrë të menjëhershme për të ndihmuar ndalimin e zjarrit, duke sjell dhe helikopterin”, tha Çuko.
Prefekti i Qarkut Fier tha se ka nisur puna edhe për pastrimin e rrugëve pyjore me qëllim lehtësimin e aksesit të zjarrfikëseve për të ndërhyrë në rastet e zjarrit.
“Bashkia e Fierit, por edhe të tjerat, si Divjaka apo Lushnja, Ballshi…etj, që kanë zona pyjore në administrim ka bërë këtë plan dhe ka nisur puna me kohë për të pastruar rrugët mes parcelave pyjore për të lehtësuar punët e zjarrfikësve”, shtoi Çuko.
I pyetur nga mediet mbi shkaqet e zjarrit, ai tha se “policia po shton masat e saj zbuluese, parandaluese në këtë drejtim”.
Në zonën e përfshirë nga flakët ndodhen forcat zjarrfikëse nga Fieri, Patosi, Roskoveci, si dhe punonjës të pyjores, të cilët janë përfshirë në ndalimin e përhapjes së zjarrit.
Ministria e Mbrojtjes më herët njoftoi se në bendngjarrje ndodhen 7 tjarrfikëse me 40 efektivë të MZSH, një buldozer dhe një fadromë, por për shkak të terrenit ranor dhe përmasave të mëdha që ka marrë zjarri, situata në ekonominë pyjore të Darëzezës nuk është vënë ende nën kontroll.
Fraksion.com