AktualitetNATO/BETë fundit

Bullgaria sfidon kaosin dhe vazhdon rrugën drejt euros

Autoritetet bullgare presin të marrin dritën jeshile këtë javë nga Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane për të futur euron në përdorim nga 1 janari i vitit 2026.

Një sinjal i tillë vjen pavarësisht protestave kundër euros, në të cilat të rinjtë e zemëruar bullgarë valëvisin flamuj bullgarë e rusë, si dhe një incidenti të rëndë me zjarrvënie ndaj ndërtesës së Komisionit Evropian në Sofje.

Miratimi i euros ishte kusht për anëtarësimin e Bullgarisë në Bashkimin Evropian, por dështimet legjislative – përfshirë reformat për të luftuar pastrimin e parave – pastaj shqetësimet për inflacionin dhe bllokada e vazhdueshme politike, e kanë bërë rrugën të vështirë.

Megjithatë, më 4 qershor, Bullgaria pret një vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane për gatishmërinë e saj për të futur euron nga viti i ardhshëm.

Vendimi në favor do të ishte hapi i dytë i madh për Bullgarinë brenda një viti në rrugën e saj drejt integrimit të plotë në BE. Në janar, Sofja është bërë anëtare e plotë e zonës Schengen dhe kufijtë e Bullgarisë me Greqinë dhe Rumaninë fqinje tani janë plotësisht të hapur.

Si është i mundur miratimi i euros?

Bullgaria hyri në BE në vitin 2007 dhe, me nënshkrimin e traktatit të pranimit, u zotua se do të fuste në përdorim edhe euron.

Që atëherë, ky qëllim është mbështetur vazhdimisht nga të gjitha qeveritë në Sofje.

Çështja, megjithatë, u shty fillimisht për shkak të krizës financiare në Greqi në vitin 2010.

Më pas, në vitin 2014, falimentoi një bankë e madhe bullgare dhe institucionet lokale nuk i kanë hetuar ende plotësisht shkaqet.

Vetëm në vitin 2020 Bullgaria u bë anëtare e Mekanizmit Evropian të Kursit të Këmbimit, ERM II, apo e së ashtuquajturës sallë e pritjes për euron.

Por, për t’i shtuar edhe më shumë pengesat në rrugën drejt euros, Bullgaria u zhyt në një periudhë turbulencash politike, duke mbajtur shtatë palë zgjedhje parlamentare që nga viti 2021, të cilat u pasuan me një numër qeverish jetëshkurtra.

Megjithatë, një anë pozitive në këtë paqëndrueshmëri ka qenë fakti se ajo i ka bërë reformat kundër korrupsionit pjesë të agjendës qeveritare – politikanë properëndimorë me orientim reformist janë tani në parlament.

Pse nuk janë të gjithë të lumtur?

Mbështetja për euron ka rënë dhe tani më shumë bullgarë janë kundër futjes së saj në përdorim sesa për.

Kundërshtimet mund të shiheshin në rrugët e Sofjes dhe qyteteve të tjera gjatë fundjavës, kur mijëra njerëz protestuan kundër bashkimit me zonën e monedhës së vetme evropiane, nga frika se do të dëmtojë ekonominë dhe do t’i rrisë çmimet e konsumit.

Një sondazh i kohëve të fundit i Eurobarometrit tregoi se 50 për qind e bullgarëve janë kundër miratimit të euros, ndërsa 43 për qind janë për.

Shpjegimi mund të gjendet në të njëjtin sondazh: problemi më i madh për bullgarët në vitet e fundit është rritja e kostos së jetesës.

Kjo frikë është nxitur edhe më shumë nga fushatat agresive të partive anti-evropiane dhe proruse, të cilat akuzohen për fushata dezinformimi, me qëllim trembjen e bullgarëve të rëndomtë.

Në krye të këtyre fushatave ishte partia Ringjallja, e cila, së voni, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me partinë në pushtet të Rusisë, Rusia e Bashkuar.

Sipas saj, kursimet e njerëzve do të merren, nëse ato nuk përdoren brenda një periudhe të caktuar kohore. Po sipas saj, në përdorim do të futet edhe euroja digjitale, në mënyrë që autoritetet të mund t’i monitorojnë të gjithë.

Asnjëra prej këtyre nuk është e vërtetë, por mungesa e përgjithshme e besimit në Bullgari – si te politikanët dhe institucionet, ashtu edhe te mediat – ka bërë që tensionet dhe shqetësimet të jenë të larta.

Çfarë i pret tani bullgarët?

Futja e euros në përdorim duket tashmë si një gjë e pakthyeshme.

As veprimi i habitshëm i presidentit Rumen Radev, i cili kërkoi një referendum në minutën e fundit për datën e futjes së monedhës, nuk arriti ta ndalonte një gjë të tillë.

Gjykata Kushtetuese konstatoi se është ligjërisht e pamundur të mbahet një votim i tillë, ndërsa 171 nga 240 deputetët në parlament e mbështesin qeverinë që të ndërmarrë hapat e fundit për futjen e euros.

Si do të funksionojë miratimi i euros?

Nëse gjithçka shkon sipas planit, Bullgaria do të bëhet vendi i 21-të në Eurozonë nga 1 janari.

Të gjitha çmimet dhe rrogat do të kalojnë më pas në euro.

Kursi i këmbimit është përcaktuar prej kohësh: 1 euro do të jetë e barabartë me 1.95583 leva. Kështu është fiksuar që nga fillimi i euros në vitin 2002, sepse leva bullgare më parë ka qenë e lidhur me markën gjermane.

Çmimet në disa supermarkete në Bullgari janë tashmë në të dyja monedhat.

Njerëzit do t’i kenë gjashtë muaj kohë për t’i shkëmbyer kursimet e tyre në para të gatshme me euro, pa komision. Çmimet do të mbeten në të dyja monedhat për të paktën atë periudhë, nëse jo më gjatë.

Ekspertët thonë se futja e euros do ta rrisë ekonominë e Bullgarisë.

Për shumicën e bullgarëve, ndryshimi nuk do të jetë aq i madh.

Çmimet e pronave fliten prej kohësh në euro. Disa shërbime llogariten gjithashtu në euro. Kursimet e shumë njerëzve janë tashmë në euro./REL

 

Fraksion.com