“Altin Dumani do regjistrohet si bashkëpunëtor kryesor”, Berisha: SPAK, seksion i kartelit më të rrezikshëm në Europë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së.
Berisha u paraqit në dyert e SPAK rreth orës 10:00, ndërsa u prit jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme edhe nga mbështetës të tij dhe simpatizantë të PD.
Pasi doli nga prokuroria e Posaçme Berisha e cilësoi SPAK si seksionin e kartelit më të rrezikshëm në Europë”.
“Unë i lashë këtë shënim: me mbajtjen për 22 ditë të fletëarrestit të gjykatës për bosët e kartelit më të madh në Europë të drogës, kartelit Troplini, Altin Dumani do regjistrohet si bashkëpunëtor kryesor i këtij karteli dhe do ndryshojë mbiemrin e tij nga Dumani në Altin Troplini”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD po ashtu tha se gjyqtarja e GJKKO Irena Gjoka, “është me 5 mbiemra”, duke e cilësuar si fytyrën e vërtetë të sistemit të ri gjyqësor.
“Kryetarja e gjykatës speciale mbetet kryetare nderi. Ajo ka kontratën më të çuditshme në Shqipëri, në rajon dhe në Europë”, u shpreh Berisha duke iu referuar një kontrate qiraje që sipas tij, është pranuar si dokument zyrtar në veting.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kaluar për gjykim dosjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në të cilën ish-kryeministri Sali Berisha, akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
Ndërkohë, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi akuzohet për kryerjen e veprave “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
SPAK e akuzon Berishën se, gjatë kohës që ishte kryeministër, ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Sipas SPAK, ky privatizim është bërë në mënyrë të parregullt dhe me ndikim të paligjshëm nga Berisha, duke sjellë përfitime të padrejta për Malltezin dhe dëm ekonomik për shtetin. Berisha i ka cilësuar akuzat si politike.
Fraksion.com