Tentoi të fuste kontrabandë në Shqipëri cigare dhe produkte ushqimore, arrestohet 48-vjeçari në Kapshticë
Kapshticë, Korçë
Tentoi të fuste kontrabandë në Shqipëri dhjetëra steka cigaresh dhe produkte ushqimore, kapet në flagrancë dhe arrestohet 48-vjeçari.
Sekuestrohen mallrat e futura kontrabandë, të fshehura në automjetin që drejtonte.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë kanë intensifikuar kontrollet në kufirin jeshil dhe në pikat e kalimit kufitar, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, u konstatuan të fshehura 32 steka me cigare dhe disa produkte ushqimore, të cilat shtetasi S. L. tentonte t’i fuste në Shqipëri pa i deklaruar, në kundërshtim me ligjin.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin S. L., për veprën penale “Kontrabanda me mallra që paguajnë akcizë”.
Mallrat e konstatuara u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Fraksion.com