KosovaTë funditUncategorized

Kurti viziton trupat amerikane në kuadër të “Defender Europe 25”: FSK-ja po dëshmon gatishmëri të nivelit të NATO-s

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar komandën e Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë Amerikane, e cila aktualisht drejton brigadat shumëkombëshe në kuadër të ushtrimit të përbashkët ushtarak “Defender Europe 25” që po zhvillohet në Kosovë.

I shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, Kurti theksoi rëndësinë strategjike të këtij ushtrimi dhe lavdëroi nivelin e lartë të bashkëpunimit ndërkombëtar ushtarak.

“Ushtria jonë çdo ditë po dëshmon aftësi të avancuara ndërveprimi me ushtritë e vendeve të NATO-s”, ka deklaruar Kurti përmes një postimi në rrjetet sociale.

Pas vizitës në komandën amerikane, delegacioni ka vazhduar në Devë, ku ka inspektuar një batalion shumëkombësh të Forcës për Detyrë, i udhëhequr nga Regjimenti i 2-të i Këmbësorisë së FSK-së.

“Defender Europe 25” është një ndër ushtrimet më të mëdha të organizuara nga SHBA dhe NATO në Ballkan, me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra trupave nga vendet aleate dhe partnere.

Fraksion.com