Berisha: Të krijohet urgjentisht qeveri teknike për të përgatitur zgjedhjet e reja
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi sot para medieve rezolutën e miratura dje nga Unioni i Demokratëve të Qendrës dhe Internacionalja Demokrate e Qendrës (IDC-CDI), mbi zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri.
Berisha tha se përmes kësaj rezolute, IDC-CDI u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të zbatojnë urgjentisht rekomandimet prioritare të OSBE/ODIHR, përfshirë ato mbi barazinë në fushatë, mediat dhe institucionet e paanshme.
“Të ndërpresin përndjekjen politike dhe të rikthejnë të drejtat e plota për liderët e opozitës;
të krijojnë një qeveri teknike (kujdestare) për të mbikëqyrur reformat drejt BE-së dhe për të përgatitur zgjedhje të reja; të sigurojnë pluralizëm real mediatik dhe akses të barabartë në media për të gjitha forcat politike”, thuhet ndër të tjera në rezolutën e lexuar nga Berisha.
Po ashtu, Berisha tha se “IDC-CDI u bën thirrje anëtarëve të CDI-së të dërgojnë një mision për verifikim faktesh dhe vëzhgimi në Shqipëri për të vlerësuar ecurinë e zgjedhjeve, për t’u takuar me aktorët përkatës dhe për të dhënë një vlerësim të pavarur mbi përputhjen me normat demokratike”.
“I bën thirrje BE-së që të kushtëzojë përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit me reforma konkrete zgjedhore dhe demokratike; paralajmëron se konsolidimi autoritar dhe ndikimi kriminal në Shqipëri përbëjnë rrezik serioz për demokracinë e brendshme dhe për stabilitetin rajonal”, shtoi ai.
Berisha tha se “populli opozitar në Shqipëri ka marrë dje me këtë rezolutë mbështetjen më të fuqishme ndërkombëtare për kauzën e vet të drejtë”.
“Kjo rezolutë e 108 forcave politike, më e madhja në botë, denoncon farsën e 11 Majit si një farsë të shëmtuar, ku u shkelën një nga një parimet themelore ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira. Në këtë forum botëror kanë gjetur mbështetje të plotë kërkesat e PD-së për qeveri teknike dhe zgjedhje të reja”, tha ai.
Berisha tha se “kjo rezolutë është një apel, një kushtrim për popullin opozitar për të luftuar dhe sakrifikuar, për të paguar çdo çmim për votën e lirë, duke i garantuar se në këtë betejë nuk janë vetëm, por janë së bashku me mbarë partitë e qendrës dhe qendrës së djathtë në Europë dhe në botë”.
Berisha tha se rezoluta me fakte konkrete denoncon shkeljen e parimeve ndërkombëtare të zgjedhjeve.
“Kjo është rezoluta e dytë, e para është në tetor. Rezoluta e parë e paralajmëron farsën me të gjithë shëmtinë e saj. Rezoluta e dytë bazohet në raportet e institucioneve ndërkombëtare pas zhvillimit të farsës, dhe kjo rezolutë me fakte konkrete denoncon shkeljen e parimeve ndërkombëtare të zgjedhjeve të sanksionuara në dokumente ndërkombëtare. Pra, ajo e paralajmëroi kurse kjo e denoncoi zhvillimin e kësaj farse”, shtoi ai./atsh
Fraksion.com