Goditet trafiku i armëve nga Kosova në Shqipëri, 10 në pranga
Pas një hetimi 5-mujor me metoda proaktive Policia e Tiranës ka goditur një grup që trafikonte armë zjarri nga Kosova në Shqipëri.
Në kuadër të operacionit të koduar “Puzzle”, janë vënë në pranga 10 persona dhe dy janë shpallur në kërkim. Ndërkaq janë sekuestruar “14 armë zjarri (12 pistoleta, njëra prej tyre me silenciator, dhe 2 automatikë), 2077 fara kanabisi, krehra dhe municion luftarak, 3 automjete dhe 8 celularë”.
Policia njoftoi se “bazuar në informacionet e siguruara nga hetimi për disa shtetas që dyshohej se trafikonin armë zjarri, kryesisht nga Kosova në Tiranë, me qëllim shitjen, janë vënë në pranga shtetasit: E. T., 32 vjeç, L. H., 21 vjeç, F. B., 26 vjeç, R. H., 21 vjeç, V. M., 23 vjeç, K. F., 18 vjeç, G. M., 22 vjeç dhe A. Sh., 23 vjeç. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit R. K., 41 vjeç dhe A. N., 24 vjeç”.
Sipas policisë nga hetimet dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin armë zjarri, kryesisht në Kosovë por dhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë, i sillnin ato në Tiranë, për t’i shitur.
“Gjatë periudhës hetimore, në kuadër të këtij procedimi, më datë 01.04.2025, janë ndaluar shtetasit A. P dhe K. P., pasi u kapën në flagrancë me 2 armë zjarri, të dyshuara të trafikuara nga Kosova, me qëllim shitjen në Tiranë. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit K. F, shërbimet e Policisë gjetën e sekuestruan 2077 fara kanabisi”, njoftoi policia.
Sipas policisë po punohet për kapjen e shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës po bashkëpunojnë intensivisht me autoritet policore kosovare për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Fraksion.com