Berisha: Nga data 10 qershor do kemi gati raportin final për farsën elektorale
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në vazhdën e denoncimeve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, deklaroi sot se nga data 10 qershor opozita do të ketë një raport final në lidhje me “farsën elektorale”.
Në një deklaratë për mediet kryetari i PD-së, theksoi se këtë raport do ta nisin në disa institucionet ndërkombëtare, përfshirë “kancelaritë e vendeve anëtare të OSBE-se, BE-së dhe Këshillit të Europës”.
“Ne po shpërndajmë raportin e përditësuar paraprak, i cili në fakt me terma të tjerë është një lloj raporti i ndërmjetëm. Raporti përfundimtar do bëjmë çdo gjë që të jetë gati nga data 10 qershor. Por ndërkohë, ne si dokumente i nisim që të gjitha në misionin e ODIHR dhe misione të tjera vëzhguese.
“Raporti përfundimtar do shkojë në të gjitha kancelaritë e vendeve anëtare të OSBE-se, BE-së dhe Këshillit të Europës. Raporti përfundimtar do të shkojë në të gjitha institucionet ndërkombëtare, konventat e të cilave janë dhunuar në këto zgjedhje. Raporti përfundimtar do të shkojë në të gjitha parlamentet e vendeve anëtare të OSBE, BE dhe KiE”, tha sot Berisha.
Berisha shtoi se për të mbajtur të informuar faktorin ndërkombëtar “ne kemi operuar me raportin paraprak, tani kemi përgatitur raportin e ndërmjetëm dhe raportin përfundimtar do përpiqemi ta përgatisim midis datës 10 dhe 15 qershor me çdo kusht”.
Fraksion.com