AktualitetPolitikëTë fundit

Miratohen procedurat për rikthimin e ushtarakëve në rezervë në shërbimin aktiv të FA-së

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e procedurave, të mënyrës dhe të rregullave për rikthimin e ushtarakëve në rezervë në shërbimin aktiv të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Në vendimin e qeverisë theksohet se “ky vendim përcakton procedurat, mënyrat dhe rregullat për rikthimin në shërbimin aktiv të ushtarakëve në rezervë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, duke garantuar respektimin e parimeve të barazisë, meritokracisë dhe mosdiskriminimit, përmbushjen e nevojave me personel të kualifikuar, si dhe forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes, nëpërmjet një procesi të drejtë dhe transparent”.

Procedurat për rikthimin në shërbimin aktiv të ushtarakëve në rezervë kryhen në rastet e shtimit të numrit të përgjithshëm të personelit dhe kur kërkohen specialitete që ndikojnë në ruajtjen e operacionalitetit të Forcave të Armatosura.

Për rastet e parashikuara të ligjit “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, ndiqen procedurat; Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, mbështetur në propozimet e strukturave të Forcave të Armatosura, harton kërkesat dhe nevojat për rikthimin në shërbimin aktiv, sipas kategorisë së personelit të ndarë për oficer, nënoficer dhe ushtar/detar aktiv, me specialitete ushtarake dhe repartet që kanë nevojë për plotësim me personel dhe ia përcjell për miratim ministrit të Mbrojtjes.

  1. Pas miratimit, Ministria e Mbrojtjes publikon në faqen zyrtare elektronike njoftimin me të gjitha të dhënat e nevojshme për specialitetet e kërkuara, afatin e aplikimit dhe dokumentacionin e nevojshëm për rikthimin e ushtarakëve në rezervë në shërbim aktiv.
  2. Kandidati aplikon nëpërmjet portalit “e-Albania”, duke plotësuar formularin e aplikimit për rikthimin e ushtarakëve në rezervë në shërbim aktiv dhe dokumentacionin e nevojshëm brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e publikimit të njoftimit në faqen zyrtare elektronike të Ministrisë së Mbrojtjes.

Qendra e Personel-Rekrutimit kryen verifikimin e dosjes të aplikimit brenda 5 (pesë) ditëve nga përfundimi i afatit të aplikimit. Në rast se konstatohet se dokumentacioni nuk është i plotë, kandidatit njoftohet nëpërmjet portalit “e-Albania” për plotësimin e dokumentacionit brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e njoftimit. Në përfundim të afatit të njoftimit, Qendra e Personel-Rekrutimit pranë Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura i përcjell listën së bashku me dokumentacionin e aplikimit komisionit të vlerësimit, sipas pikës 2, të këtij kreu.

Strukturat e sigurisë dhe zbatimit të ligjit në Forcat e Armatosura, në bashkëpunim me struktura të tjera shtetërore, kryejnë kontrollin e plotësimit të kushtit të sigurisë së kandidatëve për rikthim në shërbimin aktiv, sipas listave të dërguara nga Qendra e Personel-Rekrutimit.

Komisioni i vlerësimit kryen procedurën e vlerësimit të kandidatëve brenda 10 ditëve.

Pas përfundimit të procedurës së vlerësimit, komisioni i vlerësimit i përcjell Qendrës së Personel-Rekrutimit vendimmarrjen së bashku me arsyetimin përkatës për secilin kandidat.

Qendra e Personel-Rekrutimit i njofton kandidatit, nëpërmjet portalit “e-Albania”, vendimin e komisionit të vlerësimit me vulë elektronike/nënshkrim elektronik, së bashku me arsyetimin përkatës.

Kundër vendimit të komisionit të vlerësimit ushtrohet ankim sipas përcaktimeve në Kodin e Procedurave Administrative, nëpërmjet portalit “e-Albania”. Në përfundim të afatit të ankimit, Qendra e Personel-Rekrutimit i përcjell ankesat komisionit të shqyrtimit të ankimit sipas pikës 3, të këtij kreu.

Qendra e Personel-Rekrutimit, brenda 10 ditëve nga përfundimi i afatit të paraqitjes së ankimit, i njofton kandidatit vendimin e komisionit të shqyrtimit të ankimit me vulë elektronike/nënshkrim elektronik, nëpërmjet portalit “e-Albania”.

Në përfundim të procedurës së vlerësimit dhe ankimit, Qendra e Personel-Rekrutimit dërgon listat e kandidatëve fitues në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura përgatit praktikën për miratimin e listës së kandidatëve fitues. Lista e kandidatëve fitues oficerë i përcillet për miratim ministrit të Mbrojtjes, ndërsa lista e kandidatëve fitues, nënoficerë dhe ushtarë/detarë, i përcillet për miratim Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Pas miratimit, vijon procedura për titullimin ushtarak aktiv dhe emërimin në detyrë të kandidatëve fitues.

Ushtaraku, që rikthehet në shërbimin aktiv në Forcat e Armatosura, emërohet në detyrë në përputhje me specialitetin, si dhe nënshkruan kontratën e shërbimit.

Gjatë kohës së shërbimit si ushtarak aktiv brenda kontratës, ushtaraku i rikthyer gjatë gjithë periudhës së kontratës ruan gradën që ka pasur në kohën e daljes në rezervë dhe nuk ka të drejtë të konkurrojë dhe të përparojë në gradë.

Deri në momentin e krijimit të infrastrukturës së nevojshme teknike për ngritjen e sistemit të të dhënave të humbjeve dhe fatkeqësive për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, për kryerjen e procesit të aplikimit dhe ankimit nëpërmjet portalit “e-Albania”, proceset do të zhvillohen pranë Qendrës së Personel-Rekrutimit.

Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Qendra e Personel-Rekrutimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Fraksion.com