AktualitetPolitikëTë fundit

Balla: Miratimi deri më 30 qershor i pesë pr.ligjeve, mund të përfitojmë 27 milionë euro nga BE

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla tha se, miratimi deri më 30 qershor i pesë projektligjeve të rëndësishme, janë çelësi për të hapur rrugën e financimeve evropiane.

Në fjalën e mbajtur sot në Konferencën e Kryetarëve, Balla nënvizoi se, miratimi i këtyre ligjeve është kusht për disbursimin e fondeve nga Bashkimi Evropian në kuadër të “Reform and Growth Facility”, ku Shqipëria mund të përfitojë 27 milionë euro mbështetje buxhetore, me kusht që këto ligje të miratohen brenda datës 30 qershor 2025, sipas afatit të përcaktuar nga Komisioni Evropian.

Miratimi i tyre, thekson Balla, formëson bindjen se Shqipëria avancon progresivisht me reformat evropiane në sektorët e poshtëpërmendur ekonomikë, me shpejtësi e angazhim serioz.

“Pesë nga projektligjet që kemi aktualisht në proces miratimi janë: Dy projektligje në sektorin e bujqësisë që përafrojnë plotësisht “acquis” të Bashkimit Evropian, duke shënuar një hap të madh para në këtë fushë; Projektligji për shëndetin e bimëve dhe projektligji për shëndetin e kafshëve; Dy projektligje në sektorin e energjisë: projektligji për energjinë e rinovueshme nga biomasa/biokarburantet dhe projektligji për performancën energjetike të ndërtesave dhe një ligj në fushën e shtetit të së drejtës: Projektligji për ngritjen e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve, një nismë shumë e rëndësishme në fushën e bashkëpunimit me BE etj., në lidhje me identifikimin dhe sekuestrimin e aseteve nga aktivitetet kriminale (përfarim i “acquis” në fushën e luftës kundër krimit të organizuar)”, tha Balla.

Balla theksoi se, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE, duke hapur në rreth tetë muaj, negociatat për anëtarësim, për 24 nga 33 kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian.

“Ne synojmë të avancojmë me përgatitjet për negociatat teknike për të gjithë kapitujt deri në fund të vitit 2027, një sfidë e madhe dhe e fortë, por njëherësh, një mundësi e madhe po ashtu drejt anëtarësimit, si dhe të plotësojë të gjitha kriteret për anëtarësim në BE deri në vitin 2030”, deklaroi ai.

 

Fraksion.com