AktualitetPolitikëTë fundit

Vengu: Vajzat në Akademinë e Forcave të Armatosura tregojnë se forca nuk ka gjini

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ndau sot pamje nga Akademia e Forcave të Armatosura ku gjithnjë e më shumë vajza kanë zgjedhur rrugën e uniformës për të ardhmen e tyre.

“Ato kanë zgjedhur një rrugë sfiduese në Akademinë e Forcave të Armatosura. Në auditor apo në fushën e stërvitjes vajzat e AFA tregojnë se forca nuk ka gjini”, u shpreh Vengu në një postim në rrjetet sociale.

“Ka ditë të vështira, ka lodhje, ka prova, por çdo hap që hedhim na afron më shumë me qëllimin tonë. Të jesh studente ushtarake do të thotë të mos dorëzohesh, të jesh gati të udhëheqësh, të jesh gati të mbrosh”, shprehet një studente.

Një tjetër studente thekson se, “zgjodha Akademinë, jo për të treguar që mundem, por sepse besoj tek ajo që dua të bëhem, lidere ushtarake, pjesë e një ideali më të madh se vetja”.

“Këtu nuk na shikojnë si vajza, këtu na shikojnë si studente, si të barabarta, sepse forca jonë nuk matet me peshë, matet me përkushtim, me vendosmëri, matet me guximin për të qëndruar të fortë në çdo situatë”, thotë një tjetër studente.

“Që të vogla na thanë që të jemi të kujdesshme, të jemi të buta, të qëndrojmë në vendin tonë, por asnjëherë nuk na thanë që vendi ynë mund të jetë përpara rreshtit. Ne komandojmë me uniformë, me përgjegjësi dhe me guxim”, shprehet një studente tjetër.

“Unë jam e ardhmja e Forcave të Armatosura të Shqipërisë”, ishte mesazhi i një prej studenteve.

 

Fraksion.com