Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e PD për papajtueshmërinë e mandatit të Vullnet Sinajt
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e 14 deputetëve të Partisë Demokratike për deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të mandatit të deputetit të Partisë Socialiste Vullnet Sinaj. Vendimi i gjykatës është bërë publik në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese po ashtu ka rrëzuar edhe kërkesën për të detyruar Kuvendin për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për konstatimin e papajtueshmërisë të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj.
Gjithashtu është rrëzuar edhe kërkesa për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt.
Kujtojmë se në mars të këtij viti, 14 deputetë të grupit parlamentar të PD-së iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj.
Kërkesa e tyre u bë pasi më 30 janar në Kuvend u votua kundër dërgimit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj.
Fraksion.com