AktualitetTë fundit

Zgjerimi i superstradës Tiranë-Durrës, devijohet qarkullimi pranë mbikalimit të Rinasit

Modernizimi i infrastrukturës ekzistuese po vijon në një tjetër aks të rëndësishëm, superstradën Tiranë – Durrës, rreth 33 km, e cila do të kthehet në një autostradë të kategorisë A, duke shtuar korsitë e lëvizjes për një lehtësim të ndjeshëm të trafikut.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bëri të ditur sot se punimet për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës, në kuadër të fazës II të projektit, kanë avancuar me ritme të kënaqshme, duke arritur një realizim fizik prej 50%.

Aktualisht është punuar intensivisht për ndërtimin e shtresave asfaltike në krahun e majtë të aksit, në drejtimin Tiranë-Durrës.

Për të garantuar vijimin normal të punimeve, është realizuar devijimi i qarkullimit të mjeteve nëpërmjet zgjerimit të ri pranë mbikalimit të Rinasit.

Devijimi është i pajisur me sinjalistikë të përkohshme, të vendosur në përputhje me standardet e sigurisë rrugore, me qëllim orientimin dhe mbrojtjen e përdoruesve të rrugës.

Në vijim, punimet do të përqendrohen në krahun e djathtë të këtij segmenti, ku do të nisë ndërtimi i shtresave asfaltike, si pjesë e zbatimit të plotë të projektit të zgjerimit të kësaj rruge me rëndësi strategjike për lidhjen ndërmjet dy qyteteve kryesore të vendit.

Punimet për zgjerimin e trupit të rrugës me nga dy korsi në secilën anë, ku njëra korsi do të shërbejë për emergjencat, duke e bërë superstradën, në përfundim të punimeve, me nga katër korsi në secilin drejtim, nisën vitin e shkuar.

Superstrada Tiranë – Durrës (e njohur në vend që prej viteve ’90 si “Autostrada”) fillon nga Mbikalimi i Kamzës deri tek Ura e Dajlanit. Është një nga arteriet kryesore dhe më të rëndësishme të vendit, e cila lidh dy qendrat më të mëdha administrative, industriale, kulturore dhe turistike të Shqipërisë, si dhe korridoret Veri-Jug dhe Lindje-Perëndim.

Fraksion.com