Rama: Teatri i ri Kombëtar po merr formë dita-ditës
Ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar po vijon, ndërsa punimet pritet të përfundojnë brenda vitit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i Teatrit të ri Kombëtar, projekt i cili po merr formë çdo ditë e më shumë.
“Me punën në kantierin e Teatrit të ri Kombëtar, që po merr formë dita-ditës, si një tjetër gur i çmuar mes gjerdanit të veprave që e kanë transformuar kryeqytetin”, shkruan Rama.
Projekti i ri, vepër e njërit prej arkitektëve më të mëdhenj bashkëkohorë, Bjarke Ingels, e studios daneze BIG, synon të krijojë një ndërtesë që lidhet me hapësirën e jashtme, si një strukturë performuese dhe një zgjatim fleksibël i jetës publike të Tiranës, ku Teatri bëhet vetë një “aktor” në kontekstin e qytetit.
Projekti po zhvillohet në zonën ku aktualisht gjendet pozicionuar Teatri Kombëtar në ndërthurjen e akseve të pedonaleve. Ndërtesa është ndarë në dy pjesë: një për aktorët dhe administratën, dhe një tjetër për publikun, me funksionin kryesor teatrin.
Të dy pjesët kanë akses të veçantë. Publiku do të ketë hyrje nga fasada kryesore ose një hyrje tjetër nën hark. Ndërsa pjesa e tavanit të ndërtesës do të shërbejë gjithashtu si një teatër i hapur/auditor, ku publiku mund të ulet në shkallare për aktivitete të ndryshme.
Teatri i Ri Kombëtar në Tiranë do të jetë një nga ndërtesat më të bukura në rajon. Ky teatër do t’u shërbejë me kushtet më optimale aktorëve e spektatorëve, por edhe do të hyjë me dinjitet në radhën e objekteve më të mira të të njëjtit lloj në Evropë.
Fraksion.com