AktualitetPolitikëTë fundit

A ia vlejtën paratë që i dhatë La Civita-së? Berisha: Drejtoi fushatën më të suksesshme në histori, beteja jonë është…

Në një konferencë për media, Sali Berisha u pyet nëse investimi me drejtuesin e fushatës elektorale, Chris LaCivita, ia vlejti. Ai theksoi se investimi ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm për fatin e Shqipërisë dhe se fushata kishte treguar qartë se zgjedhjet në Shqipëri ishin një farsë, ku vota e lirë dënohet që para se të futet në kuti.

Berisha vlerësoi rolin e LaCivita-s si të pazëvendësueshëm, duke e cilësuar si një ekspert me famë botërore, i cili solli bashkëpunim të ngushtë dhe udhëzime të vlefshme gjatë gjithë procesit. Ai e quajti kontraktimin e LaCivita-s si një nga veprimet më të rëndësishme që PD ka bërë në historinë e saj.

Sipas Berishës, pavarësisht përpjekjeve maksimale dhe programit transformues të prezantuar, opozita nuk mundi të fitonte për shkak të farsës elektorale që ishte në vend. Ai shtoi se problemi i transparencës së zgjedhjeve do të trajtohet sipas afateve ligjore, duke përsëritur se përpjekja kishte qenë thelbësore dhe shumë e vlefshme për betejën që po zhvillohet në Shqipëri.

Berisha: Kontraktimi i Chris LaCivita, yllit të suksesit botëror elektoral, bashkëkryestrategut të rikthimit më të fuqishëm në historinë e njerëzimit, Presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, mendoj se ishte akti më i mirë dhe më i rëndësishëm që bëri PD.

Kjo tregon qartë se farsa elektorale nuk fitohet kurrë nga opozita. Dhe më shumë se kurrë u faktua në këto zgjedhje. Në këtë farsë elektorale ne patëm ekspertizën më të mirë dhe bëmë fushatën më të mirë të jetës time, paraqitëm programin më transformues, por asnjë nga këto nuk e bëri opozitën fituese të farsës.

Tani, ju shtoni problemin e transparencës. Do të bëhet transparente në afatin që parashikon ligji zgjedhor. Ai ia vlente? Ia vlente shumë sepse kjo është një betejë e një rëndësie të jashtëzakonshme për fatin e Shqipërisë. Kjo faktoi se farsa është dënim me vdekje i votës së lirë para se të hyjë në kuti. Kjo është.

 

Fraksion.com