AktualitetKosovaPolitikëTë fundit

Shqipëria refuzoi, Britania do t’i kërkojë Kosovës të pranojë ngritjen e kampeve të emigrantëve

Kryeministri britanik, Keir Starmer po planifikon të krijojë një seri qendrash kthimi jashtë vendit për të strehuar azilkërkuesit, me Kosovën që është midis vendeve që po merren në konsideratë.

Emri i Kosovës është në një listë të shkurtër prej 9 vendesh të identifikuara si destinacione të mundshme për ngritjen e kampeve për emigrantët që mbërrijnë në Angli.

Ndërkohë që nuk kanë filluar diskutime zyrtare me asnjë vend, kuptohet që Qeveria po kërkon përparim në këto plane përpara se të presë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Londër këtë vjeshtë, raportojnë mediat britanike.

Lista përfshin Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën, së bashku me Kosovën, si edhe disa vende jo-evropiane me të cilat ministrat britanikë duan të kontaktojnë.

Keir Starmer fillimisht shpresoi që Shqipëria do të priste një nga qendrat e kthimit të Britanisë, por kryeministri Edi Rama e përjashtoi këtë mundësi javën e kaluar.

Burime qeveritare, për gbnews, kanë thënë se Kosova është një vendndodhje “e besueshme” sepse ndodhet në njërën nga rrugët kryesore të përdorura nga migrantët e paligjshëm që udhëtojnë drejt Bashkimit Evropian.

Sipas Ministrisë së Jashtme britanike, gati 22,000 emigrantë të paligjshëm përdorën rrugën e Ballkanit Perëndimor për të hyrë në BE vitin e kaluar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka lënë të kuptohet se vendi i saj do të jetë “i hapur” për diskutime rreth vendosjes së një prej qendrave për emigrantët, raporton media britanike.

 

Fraksion.com