“Kemi 8 ditë në ankth”, helmimi i fëmijëve në Gramsh, prindërit në protestë: Shteti inekzistent! Kërkojmë siguri për ushqimin në kopsht
Mbahet sot protesta e prindërve përpara Bashkisë Gramsh në lidhje me infektimin me salmonelë për 14 fëmijë të kopshtit publik numër 1.
Prindërit e fëmijëve të infektuar kanë protestuar sot, duke kërkuar transparencë dhe masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë ushqimore. Në një prononcim për “News24”, një nënë tregoi shqetësimin e saj për gjendjen e djalit të saj, i cili vijon të ketë dhimbje stomaku dhe diarre edhe pas disa ditësh trajtimi.
“Fëmija është infektuar me salmonelë. Vijon të ketë dhimbje stomaku dhe diarre. Kam edhe një vajzë tjetër, i kemi bërë analizat dhe jemi në pritje të përgjigjeve. Fillimisht menduam se ishte thjesht temperaturë dhe e trajtuam me medikamente për virozë, por më vonë mësuam se ishte salmonelë. Kemi tetë ditë që jetojmë me ankth. Kërkoj siguri për ushqimin që u jepet fëmijëve tanë,” u shpreh ajo.
Por ajo që vihet re është një pjesëmarrje e ulët në protestë, kur një nga prindërit shprehet se ndodh për shkak të frikës së pushimeve nga puna.
Ai shprehet se askush nuk është interesuar për fëmijët dhe reagimi nga shteti sipas tij ka qenë inekzistent.
Sipas tij nuk ka pasur asnjë orientim se si duhet të veprohet, duke pasur parasysh që salmonela është ngjitëse dhe prej saj mund të infektohen edhe persona të tjerë në familje e jo vetëm.
“Përgjigjen e kam marrë dje pas disa sherreve në kopsht, nuk na jepnin përgjigje që kishim për ta marrë që të shtunën. Thonin që nuk jepet kështu përgjigja. Nuk kemi parë asgjë nga ana e tyre. Përderisa është një sëmundje ngjitëse, mbase duhej një person mbase nga infektivi të na orientonte se si duhej të veprojmë. Askush as nuk na ka pyetur se si është fëmija.
I kam marr fëmijës vetëm një mjekim që i kam marrë me lekët e mia. Nga shteti nuk kemi parë asnjë lëvizje, nuk është gjëkundi. Pjesëmarrja në protestë është e ulët sepse ne i njohim dhe kanë frikë se mos ikin nga vendete punës. Por mua përpara fëmijës tim nuk më intereson asgjë. Dum të zbardhet e drejta. Me sa shohim është një tender që i është dhënë një biznesi jashtë qytetit tonë”, tha ajo.
Fraksion.com